Pamje pas takimit mes kryetarit të Prishtinës dhe udhëheqjes së FShMN-së dhe të studentëve të këtij Fakulteti: Foto: KALLXO.com

Dakordim Rreth Dy Lokacioneve Ku Mund të Ndërtohet FShMN-ja

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe përfaqësuesit e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës kanë arritur në parim një marrëveshje për lokacionet ku mund të ndërtohet objekti i ri i FShMN-së.

Takimi rreth kësaj çështjeje është mbajtur sot me dyer të mbyllura në ambientet e Komunës.

Në takim, përveç kreut të kryeqytetit të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esad Kelmendi, dekani i FShMN-së, Tahir Arbneshi, prodekani Faton Berisha dhe kryetari i Këshillit Studentor, Florian Bivolaku.

Pas takimit, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se janë diskutuar dy opsione rreth lokacionit ku mund të ndërtohet objekti i ri i FShMN-së.

“Njëri është para Fakultetit Teknik, ku është një parcelë e cila është pronë e Komunës, me ç’rast duhet të saktësojmë se cila pjesë është pronë e Komunës dhe me arkitektët e FShMN-së pastaj ta shohim zgjidhjen për objektin e ri. Kjo do të ishte zgjidhja ideale për ne si Komunë e Prishtinës”, tha Ahmeti.
“Opsioni i dytë është ai fillestar, që të ndërtohet brenda kampusit në një hapësirë ku ka qenë e paraparë të ndërtohet Fakulteti i Edukimit”, tha më tej kryetari i Prishtinës.
Shpend Ahmeti tha se është në favor të zgjidhjes së parë ndërsa u shpreh se kanë rënë në pajtim që në fund të javës të paraqiten detajet procedurale të të dy opsioneve bashkë me afatin kohor.

Ahmeti nuk premtoi se kur do të fillojë ndërtimi, por tha se “ndoshta në pranverën e vitit të ardhshëm”.

Ndërsa, prodekani Faton Berisha doli optimist nga takimi me kreun e Prishtinës.

“Ka filluar mirë, shpresoj që të vazhdojë kështu dhe me të vërtetë të përfundojmë me një ndërtesë të re të FShMN-së”, tha Berisha.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Studentor, Florian Bivolaku, tregoi se janë pajtuar me opsionet dhe foli edhe për afatin kur Shpend Ahmeti duhet të përgjigjet në pyetjet e tyre.

“Ne i kemi pranuar këto dy opsione dhe iu kemi drejtuar kryetarit me disa pyetje dhe për këto pyetje presim përgjigje brenda 30 ditësh. Nëse brenda 30 ditësh na përgjigjet kryetari i Komunës atëherë çdo gjë do të jetë në rregull. E nëse jo, ne prapë do të ngritemi sepse kjo çështje është zvarritur për një kohë të gjatë”, tha ai.

Bivolaku aludonte në protestën e organizuar nga studentët bashkë me udhëheqjen e FShMN-së të mërkurën e kaluar.

http://kallxo.com/debati-shpend-ahmetit-studentet-dhe-profesoret-protestues/

Një grup i madh i studentëve bashkë me profesorë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të UP-së kishin protestuar për zgjidhjen e çështjes së objektit të tyre.