Marsh në mbështetje të komunitetit LGBT në Prishtinë. Foto: CEL

CSGD: Personat e komunitetit LGBT po largohen nga Kosova për shkak të kërcënimeve

Me moton “Në emër të Lirisë” e cila është pjesë e ‘Javës së Krenarisë’, po kërkohet nga qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit që të punojnë më shumë në luftën kundër diskriminimit.

Gjatë konferencës me titull “Përmirësimi i të drejtave për LGBTI – Çka shkoi gabim dhe çka mund të bëjmë më ndryshe?” e cila është pjesë e Javës së Krenarisë, u tha se Kosova duhet të jetë vend i mundësisë për liri të shprehjes, për liri të ndryshme të identitetit dhe orientimit seksual, dhe për jo-diskriminim.

Liridon Veliu, menaxher i programit CSGD, ka thënë se shumë persona të komunitetit LGBT  po largohen nga Kosova pasi që po ndihen të kërcënuar në vendin e tyre.

“Ka shumë që ikin nga Kosova për të vepruar në ketë fushë, pasi që për ta është shumë e vështirë të përballen me dhunë dhe kërcënime, dhe zgjidhja e tyre ka qenë të largohen. Në vitin e kaluar kemi pasur disa aktivistë gjatë kësaj parade, por që më nuk janë. Ka qenë Rajmonda, aktivistja e cila është detyruar të ikë nga këtu për shkak të kërcënimeve dhe nuk ka mundur të vazhdonte aktivizimin e saj me të cilin merrej deri atëherë. Po ashtu, ka qenë edhe një rast sikur Agimi, as ai nuk është më në Kosovë”, ka thënë ai.

Veliu gjatë fjalimit të tij ka theksuar se aktivitetet janë ato që e bëjnë të funksionoj komuniteti LGBT, por që sipas tij duhet bërë thirrje institucioneve për të bërë më shumë në këtë drejtim.

E ngarkuara me punë e Ambasadës së ShBA-së, Colleen E. Hyland, ka thënë se ka shpresa që në Kosovë të punohet më shumë që të ngritet zëri kundër diskriminimit të komuniteti LGBT.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë ngritur zërin. Të gjithë kanë të drejtë të jetojnë në liri, pa diskriminim, pa kërcënime. Të gjithë ju që ndihmoni Kosovën duke ngritur zërin, pasi që nuk është e lehtë për askënd që të jetojë me kërcenim, me ofendime. Por kam shpresa të mëdha për Kosovën, dhe institucionet e Kosovës që të mbrojnë të gjithë komunitetet pasi është përgjegjësi e qeverisë”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesit i zyrës së BE-së, Libor Chlad gjatë kësaj konference ka thënë se Bashkimi Evropian ka ndarë

“Ne kemi përkrahur një mori aksionesh për qasjen në BE me autoritetet Kosovës, dhe të avansojmë sundimin e ligjit. Dëshirojmë të falënderojmë për punën që po bëjnë në këtë drejtim pasi që nuk është e lehtë. Andaj dua që në një të ardhme Kosova të bëjë më shumë për luftën kundër diskriminimit dhe për komunitetin, të bëhet edhe pa ndihmën e ndërkombetareve”, tha Chlad.

Paradës do t’i paraprijnë aktivitete të ‘Javës së Krenarisë’ e cila ka filluar me datën 5 tetor dhe do të zgjasë deri me 9 tetor.