Monitorimi i tri gjykatave | Foto: "Çohu"

‘Çohu’ Paraqet të Gjeturat për Tri Gjykata në Kosovë

Genc Nimoni nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu” paraqiti të gjeturat e monitorimit nga maji i vitit 2016 de5ri në majin e sivjetmë të gjykatave në Prishtinë, Mitrovicë e Gjilan.

“Mungesa e transparencës, vonesa e fillimit dhe shtyrja e proceseve gjyqësore, shkeljet e afateve ligjore dhe procedurale, mungesa e luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë”, ishin disa nga gjetjet që i prezantoi Nimoni, sipas një komunikate të lëshuar nga organizatorët e prezantimit.

Në veçanti Nimoni prezantoi gjetjet lidhur me mungesën e qasjes në drejtësi, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe parimit të drejtësisë për gjykimin e drejtë dhe brenda kohës së arsyeshme në regjionin e Mitrovicës.

Publikimi i dy organizatave përfshiu edhe krahasimin dhe analizën e procedimit të rasteve në prokurori dhe gjykata për periudhën 2015 dhe 2016 për rastet penale nga kapitujt e veprave penale kundër korrupsionit zyrtar dhe detyrës zyrtare, krimit të organizuar, veprat penale kundër martesës dhe familjes si dhe veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Kryeprokurori Aleksabndër Lumezi tha se nuk mjafton vetëm të identifikohen mangësitë e sistemit të drejtësisë, por gjetjet duhet të jenë në funksion të zgjidhjeve.

Lumezi tha më tutje se korrupsioni është sfidë edhe për sistemin evropian të drejtësisë.

“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit gjyqësor evropian dhe një nga kërkesat themelore për shtetin e Kosovës. Shoqëria civile dhe gjyqësori janë partner në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit”, tha  Lumezi.

Katarina Grbesa nga zyra e Bashkimit Europian tha se gjyqësori efikas në Kosovë është prioritet i organizatës që përfaqëson.

“BE-ja mbetet e përkushtuar në fushën e sundimit të ligjit. Gjyqësori efikas dhe qasja në drejtësi janë objektivat kryesore të Bashkimit Evropian”, tha Grbesa.

Të pranishëm gjatë paraqitjes së të gjeturave ishin edhe Enver Peci nga Gjykata Supreme dhe avokati i popullit Hilmi Jashari.

Edhe BIRN dhe Internews Kosova që dhjetë vjet monitorojnë gjykatat.

http://kallxo.com/birn-dhe-internews-kosova-publikuan-raportin-e-10-te-jubilar-te-monitorimit-te-gjykatave/