Çoçaj i Pafajshëm, Buduri Dënohet me Burg

Drejtori Komunal i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, është shpallur i pafajshëm sot në gjykimin për punësimin e paligjshëm të profesorit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Besnik Krasniqit.

Ndërsa, drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku”, Shaip Buduri, u dënua me një vit burgim pasi u gjet fajtor për punësimin e Krasniqit, i cili është vëllai i gruas së tij.

Çoçaj dhe Buduri akuzoheshin për kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar për shkak të lidhjes së kontratës së punës pa shpallur konkurs për vendin e punës.

“Shaip Buduri ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar andaj trupi gjykues i shqipton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej një viti”, tha Ajser Skenderi, kryetare e trupit gjykues.

Ndërsa,sa i përket të akuzuarit Nexhat Çoçaj, gjykatësja tha se lirohet nga akuza pasi që nuk është provuar se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Pos dënimit me burg, Buduri u obligua që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 400 eurosh.

Mbrojtësi i tij, avokati Esat Gutaj, tha për KALLXO.com se për këtë aktgjykim do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Prej fillimit e deri sot kam qenë i bindur se Shaip Buduri me asnjë veprim ose mosveprim nuk ka bërë shkelje të ligjit. Por Gjykata e ka mendimin e vet, e shpalli fajtor. Unë do të apeloj në Gjykatën e Apelit me bindjen se ajo do të vendosë ndryshe”, tha ai.

Ndërsa, Nexhat Çoçaj, tha se me këtë aktgjykim u vërtetua pafajësia e tij.

“Kam deklaru edhe në fillim se jam i pafajshëm. Besoj në drejtësi sepse asnjëherë nuk kam vepruar kundër ligjit dhe çdo herë kam vepruar konform ligjeve të Ministrisë së Arsimit, përkatësisht ligjeve të Republikës së Kosovës dhe jam i bindur se pafajësia është vërtetuar ashtu siç kam deklaruar edhe në fillim”, tha ai.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Shaip Buduri akuzohej se si drejtor i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke i mundësuar profesorit B.K. (vëlla i bashkëshortes së tij) që në gjimnazin “Gjon Buzuku” nga fillimi i vitit shkollor 2013/2014 deri më datë 04.02.2014 t’i mbajë orët e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Ndërsa i pandehuri Nexhat Çoçaj akuzohej se derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor ne Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prizrenit po ashtu kishte keqpërdorur detyrën zyrtare duke e nënshkruar kontratën për punësim, nga data 04.02.2014 në vendin e punës profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe personit B.K. nga Prizreni, pa shpallur konkurs për vendin e punës duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër.