Arkiv

Çmimi i bukës mund të rritet edhe më shumë, furrtarët kanë pak rezerva të miellit

Furrtarët arsyetojnë rritjen e çmimeve të bukës me shpenzimet e përgatitjes së këtij produkti, duke përmendur shpenzimet e rrymës, lëndëve djegëse dhe fuqisë punëtore.

Ekipi i gazetarëve të KALLXO.com ka vizituar furra në disa qytetet kryesore të  Kosovës, përfshirë Prishtinën.

Sipas disa pronarëve, menaxherëve, punëtorëve të  furrave nëpër qytete, çmimet e miellit, bukës, byrekëve, kifleve janë rritur kurse në  disa te tjerë  çmimet ishin të  njëjta si më herët.

Të dielën KALLXO.com kishte raportuar për rritjen çmimit të  bukës në  Prizren, si qyteti i parë që rritë çmimet për produktet e miellit.

https://kallxo.com/shtrenjtohet-buka-ne-prizren/?fbclid=IwAR2CTBRwMNoYhN2ZPhPZeLDWQ_pg4eVJQPVM9RkE-uMl0p8-QksS_qb_rIk

Shumica e furrtarëve thanë që furnizohen nga kompani distributore, të  cilat e marrin miellin nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por kishte edhe nga ata që marrin miell nga Italia, Sllovenia e Austria.

Kastriot Lushaj pronar i furrës “Molla e Kuqe” nga Prizreni ka thënë  për KALLXO.com se çmimi i bukës është rritur për 10 centë kurse produktet e tjera për 5 centë.

Ndërsa shtoi se rritja e çmimit të bukës nuk do të thotë se shkon drejtpërdrejtë në  bukë, por edhe në shpenzimet tjera si punëtorët, lënda djegëse, po edhe qeset për paketim të bukëve.

”Për momentin çmimi i miellit është i lartë, rezervat janë të pamjaftueshme. Ndërsa nëse shohim çmimin 0.40 cent është çmimi i përballueshëm. Nëse vazhdon që 1 kilogram miell të jetë ndërmjet 0.30 deri 0.35 cent, për momentin ka kaluar 0.35 cent dhe pritet të rritet edhe më shumë çmimi i miellit. Mielli në kohët e fundit çdo muaj është ngritur, ndërsa tani ka arritur kulmin. Dhe mund të ngritet edhe më shumë, andaj sa i përket çmimit 0.40 cent, është i përballueshëm dhe i arsyeshëm, kur merren parasysh edhe shpenzimet tjera si punëtorët, lënda djegëse, po edhe qeset për paketim të bukëve janë shtrenjtuar”, ka thënë  Lushaj.

Ndonëse për zgjidhje alternativë ka përmendur furnizimin nga Mali i Zi, nëse i ulin taksën doganore dhe gruri vjen me një çmim të arsyeshëm.

Pronarët e dy furrave “Rudina” dhe “Euro Furra”, nuk kanë dashur të flasin rreth ngritjes së çmimit.

Ata pa dashur të identifikohen, shkurt thanë që çmimet prej 0.40 centë janë të arsyeshme duke marrë parasysh ngritjen e çmimeve të deritanishme.

Pronari i furrës “Lumi” në kryeqytet, Luz Mita tha për KALLXO.com se nuk i kanë rritur çmimet të asnjë produkti për shkak se ende kanë  rezerva në stoqet e tyre.

Për rritjen e çmimeve Mita tha se duhet të vendoset dhe duhet të  ketë një rregull në treg.

“E vërtetë që janë rritur çmimet e miellit, por ne nuk i kemi rritur çmimet e asnjë produkti sepse miellin e kam marrë para dy jave dhe në stoqet tona kemi miell përafërsisht edhe për dhjetë ditë  ose dy javë, sepse aq e kam hapësirën ku e lë miellin. Aty ku e marr miellin ajo firmë importon nga Serbia, Bosnja dhe Italia. Varësisht tash ka e përqendron ajo importin e miellit do të  jenë edhe çmimet sepse nuk i rrisim çmimet një herë derisa kemi ende miell në stoqe me çmimin e vjetër. Rritja e çmimit të bukës nuk nënkupton direkt me bukën, por edhe me shpenzimet e rrymës, fuqisë  punëtore, ka shumë faktorë që ndikojnë, jo vetëm importi i miellit”, tha Mita.

Edhe Enver Martinaj nga furra “Qerimi 1” në Prishtinë u deklarua njëjtë.

Ai për KALLXO.com tha se rezerva në stoqe nuk kanë për kohë të  gjatë, maksimumi për një javë.

“Po është rrit çmimi i miellit, ne ende nuk i kemi rritur çmimet e produkteve, para një jave kemi marrë  miell me çmimin e rritur. Nuk kemi sasi të mjaftueshme, por do të shohim çka do të veprojmë më  tutje. Nga e hëna do t’i rrisim çmimet, ne miellin e marrim nga M-Sillosi dhe Fellini”, tha Martinaj.

Ndërkaq punëtorë nga furra “Diti”, në kryeqytet nuk kanë pranuar të flasin, por prapa kamerës ata i kanë thënë KALLXO.com se çmimet janë rritur dhe varësisht prej zhvillimeve ka mundësi të rriten prapë.

“E kemi rritur, buka është bërë 40 cent, edhe tjerat produkte janë rritur me pak. Na miellin e marrim nga distributorët që e bien miellin prej Serbisë. Por distributoret kosovarë e kanë ndalur shpërndarjen dhe varësisht nga zhvillimet ka mundësi që çmimi të rritet edhe më shumë”, kanë thënë ata.

Edhe në furrën “Diellza”, që nga data 21 nëntor çmimet janë rritur për 10 centë më shumë në bukë dhe në byrek, kurse në produktet tjera çmimet janë rritur për 5 centë. Kështu kanë pohuar punëtorët e kësaj furre në kushte anonimiteti, duke shtuar se tani për tani kanë mjaftueshëm miell në stoqet e tyre.

Ndërsa çmimi i bukës është rritur edhe në furrën “Parajsa 1”, kështu kanë thënë punëtorët e kësaj furre në kushte anonimiteti.

Alush Likaj, pronar i furrës “Durimi”, ka thënë  se nuk ka pasur rritje të çmimit të bukës dhe as të  produkteve tjera të  miellit, përveç të  byrekut, i cili është rrit për 10 cent. Për sasinë  e miellit nuk ka informacion, sepse për prodhimin e bukës bashkëpunon me një  kompani tjetër.

Hamëz Osmanjolla pronar i furrës “Rina”, ka thënë  se nuk ka pasur rritje të çmimit të bukës dhe as të produkteve të tjera.

“Sasi të  miellit ka vetëm edhe për dy ditë, ndërsa për më pas ende nuk e di dhe nuk ka vendosur asgjë”, tha ai.

Menaxherja në  furrës “Royal Bake”, Edona Lokaj ka treguar se nuk ka pasur rritje të çmimit të bukës dhe as nuk do të  ketë. Çmimi i bukës në këtë furrë  ka qenë 35 cent dhe ashtu do të mbesë, derisa ka thënë se sasi të miellit kanë përafërsisht edhe për këtë një javë.

KALLXO.com ka vizituar edhe furrën “Ada”, ku sipas punëtores e cila nuk deshi të identifikohej për momentin nuk ka rritje të çmimit të bukës dhe se nuk ka informacion a do të ketë në ditët në  vazhdim. Ndërsa për sasinë  e miellit nuk ka informacion.

Edhe punëtorët në  furrën “Elisa” dhe “Dora”, treguan se çmimet e bukës dhe produkteve të tjera nuk janë rritur.

Çmimi i bukës nuk është rritur as në Komunën e Gjilanit, të pyetur nga KALLXO.com punëtoret e furrave “Pashtriku”, dhe “Vëllezërit Çoçaj”, kanë thënë që buka është duke u shitur me çmimin e njëjtë, pra 30 cent dhe ende nuk është vendosur se a do të rritet ky çmim.

Edhe në Komunën e Mitrovicës nuk ka ndonjë ndryshim të  çmimit të bukës, kështu kanë thënë  për KALLXO.com punëtorët e furrave “Trepça”, “Pashtriku” dhe “Atdheu”.

KALLXO.com ka raportuar për çështjen çmimt të bukë:

https://kallxo.com/faktoret-e-rritjes-se-cmimit-te-bukes-ne-kosove/

 

 

https://kallxo.com/rritet-cmimi-i-bukes-edhe-ne-kacanik/

 

https://kallxo.com/autoriteti-i-konkurrences-per-shtrenjtimin-e-bukes-per-30/

 

https://kallxo.com/prestreshi-rritja-e-cmimit-te-bukes-shkelje-e-ligjit-per-mbrojtjen-e-konkurrences/

.