Kryeministri Haradinaj në ndarjen e çmimit për filantropi 'FIDES 2017' - Foto: ZKM

Çmimi ‘FIDES 2017’ i Ndahet Post Mortum Albanologut Robert Elsie

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “FIDES 2017” për filantropinë në Kosovë, e cila u organizua nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) në bashkëpunim me Rockefeller Brothers Fund (RBF).

Haradinaj, sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, ka thënë se ndihet i nderuar që gjendet në një mbrëmje ku promovohen, vlerësohen dhe falënderohen publikisht individë, biznese, organizata të shoqërisë civile, të rinj, gra, ambientalistë për kontributin e tyre.

“Filantropia bashkëkohore shihet si strategji për të pasuruar kulturën e bamirësisë, me qëllim mobilizimin e drejtë të komuniteteve lokale, burimeve njerëzore e financiare. Të gjitha këto e krijojnë ekosistemin e vlerave të cilat i mbanë shoqëria jonë dhe të cilat “FIQ” kujdeset për t’i promovuar duke sjellë me afër njerëzit, institucionet dhe sektorët e zhvillimit në vend”, citohet të ketë thënë kryeministri Haradinaj.

I ftuar të ndajë çmimin “FIDES 2017” Post Mortum për kontributin në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve nga Robert Elsie, albanologut kanadez i cili ndërroi jetë muajin e kaluar, kryeministri e ka cilësuar këtë si moment prekës për të.

“Është nder për mua si kryeministër, por edhe si shqiptar të nderoj me çmim një personalitet si Robert Elsie, i cili arriti ta njohë kombin tonë aq mirë dhe aq thellësisht. Robert Elsie, gjermano-kanadezi i cili iu përkushtua paraqitjes së tërësisë së artit, kulturës, fotografisë dhe historisë së shqiptarëve”, tha kryeministri Haradinaj,  duke theksuar se e admiron atë për vendin ku pushojnë eshtrat e tij, në Thethin e bukur shqiptar.

Çmimin e ndarë nga kryeministri Haradinaj për Robert Elsie, e pranoi Artur Metani, mik dhe bashkëpunëtor i albanologut të ndjerë.

Çmimin “FIDES 2017” për kontribut në nivel kombëtar “Hasan Prishtina”, që u ndahet kompanive ose organizatave që kanë kontribuar për të mirën e përbashkët në nivel vendi, drejtoresha ekzekutive e FIQ ia ndau bankës “Reiffeisen”, e cila, sipas saj, ka bërë më së shumti investime strategjike në fusha si arsimi, inovacioni e kultura.

Qe nëntë vite, FIQ ndan për çdo fundvit mirënjohje publike për ata që kontribuojnë në të mirën e përbashkët, për të gjithë ata që ndajnë jo vetëm mjete materiale për të tjerët dhe për të gjithë ata që ndajnë kohën e paçmuar e të paçmim, e pamundshme t’i vihet vlerë.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “FIDES 2017”, të pranishëm përveç kryeministrit Haradinaj ishin edhe Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e FIQ, Lorik Cana, futbollist i mirënjohur, Margarita Xhepa, aktore, Lori E. Amy, profesoreshë ne Georgia Southern University, Jan Axel Voss, zëvendësambasador i Gjermanisë në Kosovë dhe Murat Jashari, profesor ne Universitetin e Prishtinës.

KALLXO.com e transmetoi LIVE ndarjen e çmimeve FIDES 2017.