Ilustrimi: KALLXO.com
Çmimet si gjithmonë një hap para rritjes së pagave, ato u rritën mbi 3%
Çmimet në muajin janar u shtrenjtuan për 0.4 për qind më shumë se në muajin dhjetor, por në krahasim me janarin e vitit të kaluar u rriten 3.1 për qind më tepër.
Në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), thuhet se Inflacioni mujor i matur ishte 0.4% në janar 2019, krahasuar me muajin dhjetor 2018.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 2.1 përqind; pemë 1.9 përqind; perime 15.7 përqind; duhan 1.6 përqind; blerje e automjeteve 1.2 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9 përqind në IHÇK.
Rënia e çmimit të karburantit dhe shërbimeve të transportit kontribuuan në neutralizimin e rritjes.
“Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: veshje (-2.6%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-4.4%); rënia e çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet për transport (-5.4%); rënia e çmimeve të biletave të transportit ajror, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.5) përqind në IHÇK”, thuhet në komunikatë.
Sipas ASK-së, shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2019 me muajin janar 2018 ishte 3.1 përqind.
Buka, drithërat, perimet, djathi e vezët ndikuan më së shumti që çmimet të rriten mbi 3 përqind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë për 3.1% në muajin janar 2019, krahasuar me muajin janar 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (10.0%); mish (4.3%); qumësht, djath dhe vezë (5.8%); perime (27.2%); pije alkoolike (3.9%); duhan (3.5%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (5.1%); ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet hoteliere (1.7%); kujdes personal (2.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.4 pë qind në IHÇK”, tregon ASK.
Tutje thuhet se ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë -11.8 përqind, veshje -2.5 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3 përqind në IHÇK.