Çmimet e konsumit me shifra rekorde në 2018-ën, trendi i ngritjes po vazhdon edhe në 2019-ën

Çmimet konsumit ‘ndezën motorët’ për ngritje edhe në muajin shkurt të këtij viti.

Ato u shtrenjtuan për 0.4 përqind në krahasim me muajin janar dhe 3.2 përqind në raport me muajin e njëjtë të 2018-ës.

Në anën tjetër Indeksi mesatar vjetor tregon se për tri vitet e fundit çmimet kishin një trend rritës duke shënuar vlerën më të lartë në 2018-ën.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.4% në shkurt 2019.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.4% në muajin shkurt 2019, krahasuar me muajin janar 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: Bukë dhe drithëra (0.5%); pemë (4.9%); perime (5.7%); veshje (2.9%); këpucë (1.7%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në IHÇK“, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i COICOP-it: Energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera -1.6 përqind; rënia e çmimit të drunjve të zjarrit për ngrohje, me një ndikim të këtij nëngrupi prej -0.1 përqind në IHÇK.

Ndërkaq, shkalla vjetore e inflacionit, e matur në muajin shkurt 2019 me muajin shkurt 2018 ishte 3.2 përqind.

Tutje ASK tregon se Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 3.2 përqind në muajin shkurt 2019, krahasuar me muajin shkurt 2018.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: Bukë dhe drithëra 10.5 përqind; mish 3.6 përqind; qumësht, djathë dhe vezë 6.2 përqind; perime 29.0 përqind; pije alkoolike 2.9 përqind; duhan 3.6 përqind; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 3.0 përqind; përdorim i pajisjeve për transportin personal 4.4 përqind; ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet hoteliere 1.5 përqind; kujdes personal 2.1 përqind; gjëra personale 3.8 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.4 përqind në IHÇK.

Rënia e çmimeve të pemëve neutralizoj rritjen e çmimeve te produktet tjera.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i COICOP-it: pemë (-11.0%), me një ndikim të këtij nëngrupi prej (-0.2 %) në IHÇK.”, tregon komunikata e ASK-së.