Çka raportoi kryeministri Haradinaj para Komisionit për deportimin e 'gylenistëve'

Komisioni hetimor parlamentar, për deportimin e shtetasve turq në mars të këtij viti, ka thirrur sot në intervistë tre zyrtarë, kreun e shtetit Hashim Thaçi, kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupin.

Dy të thirrurit për të dhënë dëshminë e tyre për ngjarjen e 29 marsit të këtij viti, ishin prezent në komision ndërsa Presidenti Thaçi, për shkak të agjendës së tij dhe vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ishte i pranishëm, por i njëjti nuk e kishte njoftuar komisionin për mungesën e tij.

I pari që do të intervistohej ishte kreu i qeverisë.

Ramush Haradinaj, u paraqit me gjithë stafin e kabinetit të tij në dhomën ku po mbaheshin intervistat nga ana e komisionit hetimor.

Ai u pyet nëse dëshiron që të deklaroj dëshminë e tij në praninë e mediave.

Për shkak se të gjitha ato që do t`i thoshte nuk do të ndërhynin dhe nuk do të pengonin procesin e hetimit, Haradinaj vendosi që mediat të qëndrojnë deri sa ai jepte dëshminë e tij se çfarë di për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, ngjarje kjo e cila ka ndodhur më 29 mars të këtij viti.

Haradinaj u përgatit të jap dëshminë e tij derisa anëtarët e komisionit, po i shtronin pyetje për të qartësuar se çfarë di dhe çfarë nuk di për ngjarjen e 29 marsit.

Haradinaj nisi me dëshminë e tij se informatën për deportimin e gjashtë shtetasve turq, e kishte marrë nga një telefonatë e një diplomati, emrin e të cilin nuk preferoi ta përmendte.

“Gjithashtu në mbledhjen e qeverisë po atë dit kam marrë një telefonatë nga një diplomat i cili më ka pyetur për temën në fjalë e më pastaj i kam mbledh të gjitha informatat tjera për veprimet më të rëndësishme që i kemi marrë”, tha Haradinaj.

Anëtari i komisionit nga LVV, Sami Kurteshi, kërkoi nga Haradinaj të di se a ishte ai momenti i parë që kryeministri kishte dëgjuar për deportimin e shtetasve turq.

“Kur kam marrë njoftimin ka qenë ora rreth 11-12”, u përgjigj kryeministri.

Kurteshi vazhdoi pyetjet, por kësaj radhe për shkarkimin e ish- ministrit të MPB-së, Flamur Sefaj dhe ish- drejtorit të AKI-së, Driton Gashi.

“Pse janë shkarkuar kur deri në atë moment nuk ka pasur asnjë vendim të gjykatës se të njëjtit kanë pasur faj dhe kanë shkelur ligjin?”, ishte pyetja e Kurteshit.

“Më datë 29 unë ju kam drejtuar këtyre personave në fjalë, dhe kam kërkuar të dijë se pse është bërë ndalimi i tyre pse janë deportuar këto pyetje janë bërë ndaj dy përgjegjësve në fjalë ( Flamur Sefajt dhe Driton Gashit) pastaj në bazë të sanksionit ka qenë nën përgjegjësi të ministrit dhe drejtorit të AKI-së që të më njoftojnë në lidhje me operacionin”, u përgjigj Haradinaj.

Anëtari tjetër, i të njëjtit komision, Anton Quni, kërkoi të dijë nga kryeministri Haradinaj nëse dëbimi i shtetasve turq ka qenë kërkesë e AKI-së.

“Nuk duhet me kontestu çka ka thanë ai( Driton Gashi), unë e di që AKI për interesa të veta të vendit të saj, ka partneritet me agjenci të tjera të zhvillimit. Nuk e përjashtoj edhe një kërkesë nga pala turke. Nuk mundem me refuzu, por nuk mund edhe të konfirmoj që ka ardhur një kërkesë e tillë. Ajo që dua të them është që nuk ka, ka qenë një nxitim i procedurës, ajo ka qenë shqetësuese. Dhe mungesa e informatës, më kanë bërë që të veproj. Nuk kam hasë në tjera parregullsi. Por ka edhe mungesë të informatës”, ka shpjeguar Haradinaj.

Driton Selmanaj, pyeti kryeministrin nëse kishte marrë më herët kërkesë nga Turqia për mbylljen e shkollave ku vepronin shtetasit turq të cilët u dëbuan nga Kosova.

“Deri në ditën e sotme askush s’ma ka kërku këtë. Masi të dal nga ky takim mundet me ma kërku dikush por deri sot jo”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, gjithashtu tha se nuk i ka gjithmonë të gjitha informatat.

“Ka procedura që duhet të ndiqen. Jo të gjitha këto informata mbërrijnë te unë në tavolinë por nëse shkalla e caktimit që mbërrin ndjeshmërinë, e atëherë ministri i caktum duhet me më raportu. Kam pasur një informatë se Turqia po kërkon ekstradim për një numër qytetarësh që janë nga Turqia”, ka thënë Haradinaj.

Pas rastit të shkarkimit të ish- ministrit të MPB-së, Flamur Sefaj dhe ish- drejtorit të AKI-së, Driton Gashit, Driton Selmanaj, kërkoi të dijë se pse nuk ishte shkarkuar edhe ish- drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.

“Në përgjithësi drejtori i Policisë është zbatues nuk vendos ai. Në këtë rast ministria i jep detyra, nuk mundesh me vë në faj zbatuesin. por urdhërdhënësin, ka mujt me kanë dhe Shpendi ministër e me shku në shpi, por kam vendosur për ata qe kanë dhënë urdhra”, ka thënë Haradinaj.

Selmanaj vazhdoi me pyetjet e tij, duke kërkuar llogari pse Maxhuni nuk është shkarkuar por është avancuar në pozitë.

“Nuk është i papërgjegjësi Shpend Maxhuni në veprimin konkret. Ai është zbatuesi në këtë rast. Policia e ka zbatu, policia ka besu që e ka bërë një akt heroik patriotik e në të mirë të vendit. Nuk mundemi me shku me ju thanë policisë që ata e kanë fajin”, vazhdoi Haradinaj dëshminë e tij.

Pasi që ish- drejtori i AKI-së Driton Gashi kishte deklaruar se nuk është shkarkuar, Selmanaj kërkoi nga Haradinaj të dijë se a është shkarkuar apo jo Gashi.

“Unë kam kërkuar nga ai qe të liroj menjëherë pozitën e tij nga AKI”, shtoi Haradinaj.

Muharrem Nitaj, i cili vie nga po e njëjta parti që udhëheq Haradinaj, kërkoi shpjegime nga ana e kryeministrit, të dijë se a ka qenë aksioni policor i jashtëligjshëm.

“Mendoj që krijimi i komisionit dhe puna që ka ndodh deri tash i ka rrit peshën krijimit të një shembulli korrekt për të ardhmen. Mendoj që do të ndodh ajo që është më e mira për vendin, që të zbatojnë me kujdes protokollin ose të krijojmë protokolle të reja. Njëkohësisht brenda policisë dhe pastaj marrëdhëniet me institucione”, tha Haradinaj.

Sami Kurteshi, pyeti kryeministrin për raportin e Inspektoratit Policor të Kosovës, i cili ka thënë se në aksion ka pasur shkelje.

“Në të gjitha veprimet e policisë ka pasur shkelje, në krye të kësaj policie është Shpend Maxhuni. Është liruar nga detyra drejtori i AKI-së ndërsa i është ndrruar pozita drejtorit të policisë?”, ishte pyetja që Kurteshi i drejtoi Haradinajt.

“Kjo flet diçka, mund të kem një vërejtje me plot përgjegjësi institucionale, p.sh. shumica e këtyre shkeljeve nuk konstatohen të qëllimshme, por nxitime në protokolle, politikisht kam mujt me shkarku edhe Maxhunin por në bazë të ngjarjeve ai ka qenë zbatuesi i planit”, iu përgjigj Haradinaj, Kurteshit.

Pasi që kryeministri deklaroi se nuk ishte i informuar, Driton Selmanaj kërkoi të dijë nga kryeministri se a ka qenë në dijeni të dëbimit, presidenti Thaçi.

“Nëse një informatë që është e nivelit të rëndësishëm atëherë duhet ta kenë presidenti edhe kryeministri, supozoi se ai nuk e ka ditur. Por duke u bazuar në praktikën që unë s`kam pas informatë mund të supozoj se as ai nuk ka qenë në dijeni. Kjo është ajo që mundem me thanë publikisht. Njëkohësisht ju e dini që ka ndodh edhe një gabim ka qenë njëri që s`ka pas qenë as i kërkuar, këtu mendoj se aj nxitimi është për t`u kritikuar”, u përgjigj Haradinaj.

Gjithashtu Haradinaj, u pyet edhe për rastin kur njëri nga të dëbuarit ishte dëbuar gabimisht.

Përgjigja e Haradinajt ishte e shkurtë. “Kemi pyetur edhe për këtë rast”, tha Haradinaj.

Kryetari i komisionit, Xhelal Sveçla, pyeti Haradinajn se rasti i deportimit “është rrëmbim, depërtim apo ekstradim i paligjshëm?”.

“Unë kam shpreh vërejtjen në dy momente. Është nxitimi edhe pse nuk është dhënë informata”, ka thënë Haradinajt.

Pyetja tjetër e Sveçlës ishte se gjashtë shtetasit a kanë rrezikuar sigurinë kombëtare?

“I vetmi institucion që ka pasur të drejtë me ligj për me vleresu ju e dini kush është (AKI) por në të vetmin gjë që mundem unë me kritiku është nxitimi”, tha Haradinaj.

Në fund, Haradinaj mori lëvdata nga anëtarët e komisionit për pjesëmarrje në komision për të dhënë dëshminë e tij.

Pasi që Thaçi nuk ishte në Kosovë, radha ishte e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi.

Dëshmia e tij u mbajt e mbyllur pa praninë e gazetarëve.

Deri më sot janë intervistuar një numër i madh i zyrtarëve policor e institucioneve të tjera të cilët ishin përgjegjës për rastin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars të këtij viti.

Driton Gashi, ish-shefi i AKI-së merret në pyetje 6 orë për rastin e ‘gylenistëve’

 

Përfundon intervistimi i Maxhunit në lidhje me gylenistët

 

Këta janë zyrtarët që u intervistuan për deportimin e shtetasve turq