Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku - Foto: KALLXO.com

Çitaku: Mos t’i përdorim heroinat tona për protagonizëm politik

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka thënë se asgjë nuk mund të na shfajësojë për dhimbjen që ua shkaktuam mijëra viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale 20 vite pas luftës.

Përmes rrjetit social Facebook, Çitaku ka deklaruar se ‘ndjehet e tronditur deri në palcë dhe se personalisht kërkon falje, që lejuam që një kauzë kaq të dhimbshme të degradohet në këtë mënyrë.

“Turpi bie mbi ne. Shpresoj që organet e rendit do ta hetojnë këtë rast deri në fund. Shpresoj që akterët e përfshirë të nxjerrin mësimet nga ngjarjet e djeshme. Mos t’i përdorim heroinat tona për protagonizëm politik. Tendenca të protagonizmit dhe ngritjes së profilit përmes dhimbjes dhe plagëve të të mbijetuarave të dhunës ka pasë edhe më herët.”, ka shkruar ambasadorja Çtaku.

Ajo gjithashtu ka thëne se duhet të ndalet kjo lloj qasje dhe se duhet të zotohemi, që do të sjellim drejtësi për të gjithë ata që paguan lartë çmimin e lirisë që gëzojmë sot.

Ambasadorja Vlora Çitaku në Facebook

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, dje(16 maj) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet një grua teksa dhunohet nga disa ushtarë.

Deputetja Flora Brovina këtë fotografi e ka prezantuar si dëshmi të dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike.

Megjithatë ajo tha se ka kohë që e posedon këtë fotografi dhe se e ka marrë drejtpërdrejt nga familjarët.

“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejt në RTV Dukagjini.

Publikimi i kësaj fotografie, u kritikua ashpër nga deputetë, aktivistë, e shoqata të ndryshme.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale kishte paralajmëruar hetime në bazë të kësaj fotografie dhe se do të marrë në pyetje deputeten për këto dëshmi.

Deputetja Flora Brovina ka folur sot pas intervistimit në Prokurorinë Speciale.

Ajo ka pranuar që fotografia e prezantuar dje, e cila shkaktoi një varg reagimesh në Kosovë, nuk është autentike.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, duket se i ka ndërruar fjalët në prokurori gjatë marrjes në pyetje rreth fotografisë së publikuar të enjten për të cilën pretendonte se paraqet një grua shqiptare të Kosovës duke u dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, e cila e ka intervistuar sot deputeten në cilësinë e dëshmitares, tha se Brovina e ka pranuar se nuk e ka raportuar këtë fotografi më herët në Prokurori dhe se nuk ëhstë në dijeni për identitetin e viktimës në fotografi, përderisa dje e kishte thënë të kundërtën.

Ndërkohë që ish-deputetja Mevlyde Saraçi ka paralajmëruar se do ta padisë për shpifje, deputeten e PDK-së, Flora Brovina.