Ambasadorja e Kosovës Vlora Çitaku duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtë javë. Foto: Beta.

Çitaku: Kosova kurrë nuk do të negociojë shtetësinë e saj

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku në fjalimin e saj në mbledhjen Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po flitet për Kosovën, tha se nuk e kupton pse ky Këshill është duke mbajtur këtë mbledhje.

Ajo tha se për Kosovën janë duke u mbajtur më shumë mbledhje sesa për Sirinë, Jemenin e Venezuelën.

“Them pse jemi mbledhur këtu dhe atë për herë të tretë për 4 muaj dhe është e pabesueshme që ky Këshill ka mbledhur me shumë sesione për Kosovën sesa për Sirinë dhe Venezuelën. Mendoj se ka shumë ngjarje atje që kanë nevojë për kohën dhe vëmendjen tuaj, sikur ne që kishim dikur. Është e papranueshme që kjo dhomë është shndërruar në teatër nga fqinji ynë verior dhe se si ky forum është bërë skenë për Serbinë që t’i tregojë përralla botës, shpjegime të shpikura që as vet nuk i besojnë”, tha ambasadorja Çitaku.

Ajo po ashtu theksoi se UNMIK-u nuk ka funksion në Kosovë.

“UNMIK-u s’ka rol në Kosovë, madje nuk ka as mandate për ta ushtruar rolin e tij. Këto sesione e kanë humbur kuptimin e tyre. Në fakt gjithë kjo që po ndodh është dëshmi se Serbia nuk është e sinqertë në dialog”, tha Çitaku.

Ajo po ashtu tha se problemi me Serbinë është se nuk e pranon Kosovën si shtet.

“Dialogu me Serbinë nuk ishte, nuk është dhe kurrë nuk do të jetë për të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si komb i lirë. Mos t’i shtrembëromë faktet këtu. 11 vite më parë një Republikë e re lindi në Europë dhe Kosova as sot dhe as nesër as kurrë nuk do të negociojë shtetësinë e saj”, shtoi ambasadorja kosovare.

Ne duam dhe jemi të gatshëm të flasim për marrëdhënie të mira si fqinj, megjithatë mu këtu Serbia vazhdimisht kundërshton idenë që Kosova është e barabartë me të dhe për atë krijojnë drama kudo që munden, shtoi Çitaku.

Ambasadorja e Kosovës foli edhe për taksën doganore të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave serbe. Për të, ajo tha se është për shkak të fushatave të Serbisë.

“Tarifat ishin në reagim të fushatave të agresionit dhe fushatave brutale të Serbisë ndaj Kosovës. Asnjë produkt që ishte nga Kosova nuk ka mundur të kalojë në Serbi. Atëherë pse do të duhej Kosova të mos sillet në mënyrë të njëjtë? Tarifat nuk janë problem ato janë vetëm një arsyetim pse ata nuk dëshirojnë të flasin me ne në tavolinë në Bruksel. Dialogu nuk duhet të arsyetohet me këto. Kosova ka arsye, ka qëllime më të mëdha për ta kushtëzuar këtë proces. Ne i kemi 22 mijë arsye, për çdo grua që është dhunuar, plot persona të tjerë të pa gjetur. E Kosova s’e ka ndalur asnjëherë për këtë dialogun”, tha Vlora Çitaku në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

“Ndonëse plagët tona nuk do të shërohen asnjëherë, ne nuk do të jemi peng i tyre”, theksoi ajo.