Kim Mehmeti. Foto: Kallxo.com

Cili ishte qëllimi i dialogut Kosovë- Serbi sipas Kim Mehmetit?

Dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë pati vetëm një qëllim sipas shkrimtarit dhe publicisti shqiptar Kim Mehmetit. Qëllimi ishte të lodhej populli kosovar nga këto bisedime.

“Ai dialog pati vetëm një qëllim dhe e arriti atë qëllim sipas meje, dhe që nuk them këtë sot por e kam thënë këtë qysh atëherë janë argumentet që ishin. Qëllimi ishte ky, që populli kosovar të lodhet, të lodhet nga kërkuari formulë sesi do të zgjidhet me komunat serbe, çfarë do bëhet dhe që të vij koha që tani vetë populli shqiptarë në Kosovë nga lodhja të thotë bëni çfarë doni vetëm një ditë të na lini të qetë”, tha Mehmeti në një intervistë për KALLXO.com.

Ai tha tutje se në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur gjithëherë kërkesa për palën kosovare.

“Por, çfarë mundet Kosova t’i jep Serbisë më shumë se ata 10 mijë të vrarë, çfarë mund t’i jep Kosova Serbisë më shumë se ato 10 mijë femra, gra e motra tonat të dhunuara, çfarë mund t’i jep më shumë Kosova se ato fshatra të rrafshuara me tokë, çfarë mund të u jep më shumë se shkatërrimin e çdo gjëje që ishte e vlefshme edhe në kontekstin historik, çfarë duhet të jep më shumë”, ka deklaruar Mehmeti.

Shkrimtari shqiptar kritikon edhe elitën politike që nga paslufta e këtej. Sipas tij, elita politike në Kosovë më shumë është e interesuar për të zënë vendin në pushtet.

“Por te ne çfarë ndodhi, ata që ishin të pa shkolluar disa nga ta që u shpallen gjeneral gjatë luftës, pas luftës u shpallen politikan të diplomuar, tash janë negociator ndërkombëtar të diplomuar. Po kjo është e pa mundur, kjo është edhe e pa natyrshme. Pastaj, ju shihni te popujt tjerë, shihni te maqedonasit tanë, bashkëkombësit e mi, kjo është gjenerata e katërt e burrështetasve që ndërrohen, te ne ata janë prej 90-tës deri më sot, se te ne nëse e trashëgon një vend një kolltuk në shtet nuk e jep më”, thotë ai.

Sipas Mehmetit udhëheqësit kosovar janë të mirë vetëm me ndërkombëtarët.

“Burrështetasi shqiptar e lehë të vetin dhe e kafshon të vetin por e lëpihet të huajit, dhe këta të tanët janë shumë të mirë për të huajit, por janë shumë të rrezikshëm për ne, sepse burrështetasi shqiptar të len pa bukë, të detyron ta braktisësh vendlindjen, mirëpo të huajit i përkulet. Ju a e shihni Presidenti i Kosovës sa i mirë është në ato takimet ndërkombëtare, sesi sillet edhe ndaj Presidentin serb, mirëpo shiheni sesi sillet ndaj cilitdo shqiptari që e kritikon”, tha Mehmeti.

Shkrimtari i njohur shqiptar ka thënë se elitat politike në Kosovë dhe në Shqipëri kanë bërë që shumë të rinj t’i lëshojnë këto dy vende çdo ditë e më shumë.

Ndërsa ka thënë se diktatori Enver Hoxhaj do të ishte nxënës i keq në krahasim me politikanët aktual shqiptar.

“Shyqyr që jetojmë në një botë të hapur të internetit, se këta edhe do të kishin eliminuar kundërshtaret, Enver Hoxhaj do të ishte nxënës i keq për këta, por këta koha dhe rrethanat nuk ua lejon diçka të atillë, por nëse e shihni, mendësia është ajo. Nëse ti e kritikon, ai të eliminon me të gjitha, s’mund të punësohesh, s’mund të dalësh nëpër mediat e tij, s’mund të bësh asgjë, dhe ky është eliminim. Dhe, çfarë të çon, të çon të ikësh prej shtetit. Dikur Enveri vriste kundërshtarët e vet politik, por këta edhe në Shqipëri  edhe në Kosovë të detyrojnë të ikësh, dhe prandaj Kosova është zbrazë Shqipëria është zbrazë, edhe Maqedonia është zbrazë prej shqiptarëve”, vlerëson analisti Kim Mehmeti.

Intervista e plotë e Kim Mehmetit dhënë Gazetës Jeta në Kosovë

Kim Mehmeti: Thaçi po e kopjon idenë e ndarjes nga Dobrica Qosiq

.