Cilësia e ajrit në Obiliq, gati katër herë më e keqe se në Prishtinë

Sipas matjeve të ekipit të KALLXO.com sot në orët e mëngjesit të sotëm, ajri në Obiliq arrin nivele shumë të pashëndetshme të ndotjes.

Nga matjet që janë bërë rreth orës 09:00 në qendër të Obiliqit, ndotja e ajrit ka arritur në 267 shkallë. Ajri në këtë shkallë konsiderohet shumë i pashëndetshëm.

Në Prishtinë, aktualisht niveli i ndotjes është ‘mesatar’, sipas matjes së Ambasadës Amerikane. Në vendin ku është Ambasada Amerikane në Prishtinë, monitori i ajrit tregon se shkalla e ndotjes është 78, gati katër herë më pak se në qendër, te xhamia e Obiliqit.

Janë edhe dy matës tjerë të ajrit në Prishtinë që i ushqejnë të dhënat në faqen e internetit AirVisual, ai në lagjen Aktash që matet nga kompania 3CIS të i cili në të njëjtën kohë po tregon se shkalla e ndotjes në këtë lagje arrin nivelin 144. Ndërsa matjet e bëra nga organizata ‘BONEVET’, që është e stacionuar afër stacionit të trenave, ndotja arrin në 190 shkallë, gati dyfish më i lartë se niveli i ndotjes te Ambasada.

Sipas Indeksit te Kualitetit te Ajrit, kur ajri është mes 201-300 shkallë, konsiderohet ‘shumë i pashëndetshëm’ (very unhealthy), për të gjitha grupet e qytetarëve. Personat me sëmundje të mushkërive, të zemrës, të moshuarit dhe fëmijët janë shumë të rrezikuar nëse janë të ekspozuar dhe duhet të i shmangen gjithsesi aktiviteteve në ambiente të jashtme. Gjithashtu, rekomandohet që edhe njerëzit e tjerë të shmangin aktivitete të rënda dhe të gjata në ambiente të jashtme.

Matja e shkallës së ndotjes së ajrit në Obiliq. Foto: Kallxo.com