Konferenca e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës | Foto: KALLXO.com

Chlad: Është përmirësuar kontrolli i ushqimit

Libor Chlad nga Zyra e BE-së tha se sistemi i kontrollit të ushqimit në Kosovë është përmirësuar dukshëm.

Chlad mori pjesë në konferencën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në përmbyllje të projektit dyvjeçar për mbështetjen e laboratorit të saj.

Projekti është financuar nga BE-ja, ndërsa është zbatuar nga zyra e saj në Kosovë.

“Sistemi i kontrollit të ushqimit është përmirësuar dukshëm. Kualiteti dhe saktësia e testimeve të ushqimeve është përmirësuar. Ka ende hapësirë për t’u përmirësuar disa gjëra”, tha Chlad.

Ai foli edhe për konkurrencën e ashpër në tregun e Europës, për të cilin tha se Kosovës i duhen standarde të larta.

“Kosova që të ketë gjasa në tregun e Europës duhet t’i ngre standardet e tregut të Europës. Shpresoj që Kosova do të jetë e suksesshme në një konkurrencë shumë të ashpër”, tha Chlad.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës Valdet Gjinovci tha se shpreson që projekte të tilla do të vazhdojnë.

“Gjatë dy vjetëve patëm një varg të aktiviteteve jo të lehta dhe sfiduese. Funksionalizuam pajisje të rëndësishme laboratorike përmes këtij projekti. Mbesim me shpres që projekte të tilla të vazhdojnë me interes të mbrojtjes së shëndetit publik, mbrojtjes së konsumatorit”, tha Gjinovci.

Në mars shpërtheu skandali i mishit nga Belgjika kur në këtë shtet një kompani që kishte importuar mish edhe në Kosovë u mbyll për shkak të kushteve johigjienike të mbajtjes së mishit.

Njërit prej këtyre importuesve i është caktuar paraburgimi prej një muaji.

Gjykata Vendos për Biznesmenin Anton Jupa

Nëpër komunat kosovare pas këtij skandali janë sekuestruar sasi të shumta të mishit të mbajtura nën standardet e kërkuara për këtë produkt.

Edhe në Kuvend u diskutua çështja e mishit të prishur.

Në konferencën e AUV-it foli edhe Erhard Zittlau, këshilltar rezident i binjakëzimit dhe përkrahjes për laboratorin.

“Standardet janë çështja kryesore e besimit. Standardet dhe besimi kanë nevojë të akreditohen. Pa akreditim s’ka standarde”, tha Zittlau.

Ai tregoi se cili ishte qëllimi i projektit

“Qëllimi ka qenë përkrahja e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës për ta ngritur kualitetin dhe përmirësuar shërbimet përmes metodave laboratorike- testimeve”, tha Zittlau.