FOTO: Atdhe Mulla

Çfarë ndodhi me kompensimin e orëve të humbura në grevë?

Një konfuzitet ka përcjellur nxënësit, mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit në dy javët e fundit në lidhje me përfundimin e vitit shkollor.

Këtë vit, për dallim nga vitet e tjera, në Kosovë pati nxënës që mbaruan vitin shkollor më 21 qershor disa më 28 e të tjerë diku në mes të kësaj kohe.

Kjo për shkak se Sindikata e Mësimdhënësve dhe Ministria e Arsimit nuk arriti dakordim se si dhe nëse do duhej të zëvendësoheshin tre javë të humbura të mësimit gjatë grevës së mësimdhënësve në janar.

Greva e mësimdhënësve në arsim zgjati për rreth tri javë si shenjë pakënaqësie ndaj Ligjit për Paga.

Në këtë situatë vazhdon të jetë në mjegull nëse kompensimi i atyre orëve është arritur.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë po insiston se mësimi për ta ka përfunduar më 21 qershor.

Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk janë të sigurtë për numrin e saktë të orëve të kompensuara, ndërkaq MAShT-i ka përsëritur se do të ketë masa për ata që nuk e respektuan vendimin për zëvendësim.

Një pjesë e shkollave të Kosovës zëvendësojnë orët

Sipas Drejtorive të Arsimit në Komunat e Kosovës, vetëm një pjesë e shkollave kanë bërë zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, derisa nuk janë të sigurt nëse të gjithë nxënësit kanë qenë prezent në këto orë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje në komuna lidhur me numrin e kompensimit të orëve.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se gati në të gjitha shkollat është bërë kompensimi i orëve.

“Në të gjitha shkollat një javë është mbajtur më shumë mësimi, në përjashtim të tri shkollave, Dardania, Ismail Qemjali dhe Afrim Vokshi. Këto të tri shkolla nuk kanë shkuar nxënësit mirëpo mësimdhënësit kanë qenë në vendin e punës sipas orarit që e kanë pas të planifikuar më mbajtjen e orëve”, tha ajo.

Ndërsa në Gjilan, drejtori i Arsimit Nazmi Gagica nuk ishte optimist për zëvendësim të orëve në komunën e tij.

“Disa janë zëvendësuar disa po, nuk e di saktë në sa shkolla sepse jam duke i pritur raportet dhe me i dërgua në ministri. Po realisht mund të ketë ndonjë zëvendësim por jo në total nuk kemi arritur me i zëvendësu orët. Mësimi ka përfunduar zyrtarisht sipas vendimit të MAShT më 28 qershor por mësimdhënësit kanë qenë dikun, por nxënësit kanë munguar në shumicën e shkollave”, tha Gagica për gJnK.

Në Ferizaj, sipas Drejtorit të Arsimit, Afrim Llabjani po ashtu tha se vendimi i MAShT është zbatuar pjesërisht.

“Në komunën e Ferizajt klasat e 10-11 edhe 9-ta një javë pa përfunduar i kanë zëvendësuar orët, jo në tërësi, po disa po. Në nivelin 1-8 që ka qenë me vendim të MAShT me përfundu, nuk janë zëvendësu orët, në këtë nivel nuk është zbatuar”, tha Llabjani.

Bernard Frokaj, Drejtor i Arsimit në Gjakovë tha se në shumicën e shkollave është bërë zëvendësimi.

“97% e shkollave i kanë zëvendësuar orët në Gjakovë. Shumica po i kanë zëvendësuar, nuk mundem me thënë që krejt i kanë zëvendësu, po 90% po”, tha Frokaj.

Drejtori i Arsimit në Mitrovicë, Iset Beka tha për GJnK se në këtë komunë është zbatuar vendimi i MAShT.

“Ne i kemi zëvendësuar 6 mijë e diçka orë dhe është zbatu vendimi i MAShT edhe me zgjatjen e vitit shkollor në të gjitha shkollat”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj tha se vendimi është zbatuar, por jo të gjithë nxënësit kanë shkuar në mësim.

“Po në 90% të shkollave vendimi i MAShT për zëvendësimin e orëve, vetëm në dy shkolla nuk është mbajtur mësimi të tjerat e kanë mbajtur mësimin deri në javën e kaluar. Mësimdhënësit kanë shkuar por nxënësit pjesërisht po, megjithatë orët janë mbajtur sipas vendimit”, tha Avdimetaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Homologu i të lartpërmendurve, Gani Germizaj nga Prizreni tha se vetëm në 50 për qind të shkollave të Prizrenit është zgjatur për një javë viti shkollor.

“Vendimi i MAShT është zbatuar është zgjatur viti shkollor ashtu sic ishte paraparë deri me 28 qershor. Mund të them se 50%  e shkollave e kanë zbatuar sepse nuk kemi ende të dhëna të sakta, një pjesë bukur e madhe e kanë zbatuar”, tha ai për GJnK.

Edhe drejtoresha e Arsimit në Kamenicë, Mirhane Morina tha se nuk është mbajtur asnjë ditë e humbur gjatë grevës.

“Në komunën tonë asnjë ditë nuk është mbajtur me datën 28 qershor. Ne e kemi bë programin sipas vendimit të MAShT, po që nuk janë zbatuar për shkak të SBAShK, s’është mbajt asnjë orë asnjë ditë”, tha ajo.

Ndërsa homologu i saj në Klinë, Arben Limanaj, thotë se vendimi i MAShT është zbatuar vetëm në disa shkolla.

“Po ne e kemi zbatuar pothuajse më shumë se 90%. I kemi kompensuar sipas vendimit të MAShT ditëve të shtune dhe e kemi zgjat edhe në fund. Pjesëmarrja ka qenë e mirë sipas raporteve, ka pasur mungesa të shtunave por megjithatë ne në Klinën ju kemi përmbajtur vendimit”, thotë ai.

Blerim Thaçi nga Komuna e Malishevës tha se nuk është zbatuar në tërësi vendimi.

“Pjesërisht dikun 16 shkolla e kanë realizuar, pjesërisht ka shkolla qe i kanë zëvendësuar 3-4 ditë ka shkolla 10 ditë, por 16 prej 39 shkollave e kanë zbatuar vendimin. Në këto shkolla që kanë mbajtë pjesëmarrja e nxënësve ka qenë e kënaqshme, më shumë se 70% e tyre”, thotë Thaçi.

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani tha se për shkak të presionit të SBAShK nuk është mbajtur një javë më shumë mësim.

“Ne nuk e kemi mbajtur javën shtesë, por i kemi mbajt të shtunave shumicën e shkollave tri në tri shkolla katër të shtune. Ndërsa javën nuk e vazhduam për shkak se SBAShK u organizuan dhe na u kërcënuam për mos me përça kolektivin e shkollave vendosa mos me e vazhdu”, thotë Shabani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kurse Bekim Vishaj nga Komuna e Deçanit tha se është mbajtur java shtesë në shkollat e kësaj komune.

“Me mirëkuptim kemi arritur që te kemi një mbarëvajtje të procesit të rregullt mësimor duke filluar nga maturantët edhe deri klasa e parë, kemi arrit për 5-6 të shtune t’i zëvendësojmë ditët e humbura dhe njëkohësisht javën e fundit komplet si komunë 20 shkollat tona kanë mbajtur mësim më 28 qershor”, tha ai.

Rrethana të tjera kanë pasur shkollat në komunën e Rahovecit, ku drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Morina tha se ndikimi i sindikatës së mësimdhënësve ka qenë i madh dhe s’është zbatuar vendimi i MAShT.

“Ne jemi munduar që ta zbatojmë por ndikimi i sindikatës ka qenë aq i madh saqë nuk kemi arrit mi kompensu. Vetëm një shkollë aty këtu nga një ditë të shtunave mirëpo përndryshe nuk kemi mundur ta zbatojmë vendimin e MAShT për shkak të bojkotit. Në përgjithësi tri javë të grevës janë të humbura për këtë vit shkollor”, tha Morina.

Rasim Hasani drejtor i Arsimit në Lipjan tha se mësimi është mbajtur vetëm në disa shkolla në javën shtesë.

“Mësimi është mbajtur pjesërisht në disa shkolla po jo në të gjitha”, tha ai.

Por drejtori i Arsimit në Obiliq, Agim Spahiu shprehet i bindur se në shkollat e komunës së tij është mbajtur mësimi deri më 28 qershor, në krahasim me komuna e tjera.

“Në mënyrë të veçantë në krahasim tërë komunat e Kosovës në komunën tonë e ka respektuar dhe zbatuar vendimin e MAShT, pjesëmarrja e nxënësve ka qenë e mirë”, thotë ai.

 

Vendimet për Kompensimin e orëve të Grevës

Greva e mësimdhënësve u shpall më 10 janar të këtij viti ndërsa nuk u desh më shumë se një ditë me takim intensiv shefit të PDK-së për të bindur sindikatën e punëtorëve të arsimit ta ndërprejnë grevën që ishte këmbëngulëse për tre javë.

Mes polemikash me SBAShK dhe DKA-të, MAShT kishte marrë vendim që pesë ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, pesë ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019 dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Pesë ditëshi i kompensimit të orëve gjatë pushimit pranveror vetëm në disa shkolla është mbajtur, e njësoj edhe ditëve të shtuna, e cila u konsiderua si e dëmshme për shëndetin e nxënësve.

Edhe për zgjatjen e përfundimit të vitit shkollor nga SBAShK thonë se mësimi ka përfunduar më 21 qershor, në anën tjetër MAShT thonë se mësimi është mbajtur deri më 28 qershor, kurse DKA-të bëjnë të ditur se vetëm një pjesë e vogël e shkollave kanë zhvilluar proces mësimor.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) , Rrahman Jasharaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se mësimi për ta ka përfunduar me 21 qershor, derisa shton se kanë informata se janë inskenuar orët e mbajtura pas kësaj date.

“SBAShK-u dhe Këshilli Drejtues e ka sjellur me kohë vendimin që viti shkollor të përfundojë me 21 qershor dhe sipas neve ka përfunduar në këtë datë,  përveç aty këtu ndonjë shkolle që ka inskenuar mbajtjen e mësimit duke shënuar orë, madje kemi pas informacione se ju është kërkuar mësimdhënësve të shënojnë orët e pa i mbajtur, pjesa dërmuese e tyre nuk kanë pranuar”, tha Jashari.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi javën e kaluar në Komisionin për Arsim tha se mësimi do të përfundoj me 28 qershor dhe tha se të gjitha komunat që nuk iu janë përmbajte normativave të paraqitura nga MAShT, do japin përgjegjësi.

“Interferime ka pasur nga njerëz të papaërgjegjshëm. Kemi pasë dy raste në Ferizaj që mësimi do përfundojë me këtë datë dhe ne kemi ndërmarrë hapa. Komunat do marrin përgjegjësi nëse nuk iu kanë përmbajtë normativave”, ka thënë Bytyqi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje në MAShT në lidhje me masat që do të mirren ndaj komunave, por se deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit