Çfarë bëri prokuroria në lidhje me vdekjen e dyshimtë në Prishtinë?

Emisioni Drejtësia në Kosovë, këtë javë transmetoi rrëfimin e Zymer Lulashit nga Gjakova dhe dyshimet e tij për vdekjen e vajzës së tij pas një operacioni.

Lulashi për Drejtësia në Kosovë ka thënë se vajza e tij ishte shtruar në spital pas një alivanosjeje ndërsa kishte vdekur pas një operimi.

Dyshimet se mund të kishte pasur parregullësi gjatë kohës së operacionit të Dëshira Lulashit, babai i saj tregon se nuk është ftuar asnjëherë nga ana e prokurorisë apo policisë për të dhënë dëshminë e tij se çka saktësisht ndodhi në njërën nga ditët e marsit.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke e trajtuar këtë rast dhe se momentalisht ndodhet në fazën e grumbulimit të provave, pra në fazën e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë drejtuar Drejtësia në Kosovë.

Në lidhje me rastin ishte kontaktuar edhe Policia e Kosovës.

Përderi sa rasti kishte nisur në Gjakovë dhe përfundoi në Prishtinë, hetimet janë duke u zhvilluar nga këta të fundit.

“Sa i përket pyetjeve tuaja rreth rastit, vdekje e dyshimtë që është hapur në stacionin policor Jugu në Prishtinë, me datën 19 mars 2019, ju njoftojmë se nga njësitet policore janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme . Puna e hetuesve policor rreth këtij rasti, po vazhdon në koordinim me Prokurorisë Themelore në Prishtinë, saktësisht në departamentin e Krimeve të Rënda. Andaj marrë parasysh fazën në të cilën ndodhet hetimi aktualisht, ne nuk mund të japim detaje të tjera rreth këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim të Policisë së rajonit të Prishtinës.