Mbyllja e seancës në Rastin e Azem Sylës | Foto: KALLXO.com

Çështja Mikula Mbyll Seancën në Gjykimin e Azem Sylës

Seanca e gjykimit të Azwem Sylës dhe të tjerëve në Rastin “Toka” është mbyllur për publikun, pas kërkesës së avokatit Besnik Berisha që në një seancë të mbyllur të diskutohet për përfshirjen e Vladimir Mikulës në trupin gjykues.

Mikula ka aplikuar për të qenë pjesë e Gjykatës Speciale, ndërsa avokati Berisha reagoi duke thënë se nëse nis punën kjo gjykatë, Mikula do të tërhiqet nga rasti i Azem Sylës.

Por këtë gjë e kundërshtoi prokurori Danilo Ceccarelli.

“Të qenët në listën e pritjes së gjyqtareve gjyqtarin nuk e përjashton dhe nuk e bën atë jo të përshtatshëm dhe sa i përket për shqetësimin rreth përfundimit të misionit nuk është pengesë për të nisur këtë lëndë”, tha prokurori Ceccarelli.

Prokurori kërkoi që të caktohen seancat për mars e prill të këtij gjykimi, ndërsa shtoi se pasi nuk ka kërkesë me shkrim për seancë të mbyllur dhe përjashtim të Mikulës, të vazhdohet tutje.

“Kërkoj nga trupi gjykues të bëjë caktimin e seancave së paku edhe për muajin mars dhe prill, sa i përket kërkesës për seancë të mbyllur për një çështje të tillë nuk e shoh se me kod është e paraparë ashtu. Pasi që për momentin nuk ka një kërkesë të tillë nuk është e nevojshme që trupi gjykues të marrë vendim, kërkoj nga ju që të vazhdojmë me tutje sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi prokurori.

Reagime pati edhe nga avokati Afrim Salihu i cili tha sipas Kodit të Procedurës Penale njëri nga anëtaret e trupit gjykues duhet që të jetë gjyqtar i cili ka marrë pjesë në procedurën paraprake e që në këtë rast sipas avokatit kjo nuk ka ndodhur.

“Në këtë stad të procedurës kemi shkelje flagrante të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari i procedurës paraprake i cakton dy anëtarë të tjerë të panelit e në momentin e ngritjes së aktit akuzues njëri nga të dy anëtaret duhet të jetë anëtar i trupit gjykues, gjë që nuk e kemi”, tha avokati Salihu.

Me këtë rast kryetari i trupit gjykues Petko Petkov vendosi gjë seanca të vazhdonte por të jetë e mbyllur për media dhe publikun për të diskutuar këto çështje vetëm me avokatët.

KALLXO.com shkroi më herët për përfshirjen e gjyqtarit të Speciales në gjykimin e Azem Sylës.

http://kallxo.com/gjyqtari-speciales-ne-gjykimin-e-azem-syles-2/