Foto: Kallxo

Çështja e kufirit dhe klasa politike, pjesë e librit të ri të Islam Laukës

Profesori dhe diplomati, Islam Lauka u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos ikin nga Kosova, por të rrinë dhe të kontribuojnë për largimin e klasës politike qeverisëse përmes metodave demokratike.

Lauka bënë thirrje që qytetarët që të kontribuojnë për ndërrimin e pushteteve, të cilat sipas tij, kanë krijuar një zhgënjim të madh tek qytetarët.

“Largimi nuk është zgjidhja e duhur, pasi janë vetë qytetarët ata që i zgjidhin problemet e Kosovës, duke kontribuar në përmbysjen e elitës aktuale politike që e ka sjellë vendin në këtë gjendje”, ka thënë ai.

Këto deklarime Lauka i bërë gjatë promovimit të librit të tij, “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”, që u bë sot në Bibliotekën Kombëtare, “Pjetër Bogdani”.

“Unë natyrisht jam për forma demokratike dhe këto forma duhet t’ i zhvillojmë këtu me përgjegjësi qytetare e jo duke zgjedhur rrugën e lehtë, duke ikur jashtë”, ka thënë Lauka.

Përderisa ka shtuar se analizimin dhe trajtimin i temave aktuale për Kosovës i konsideron si obligim qytetar.

Libri i Laukës, “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”, analizon zhvillimet e fundit në skenën politike sidomos sa i përket bisedimeve me Serbinë dhe çështjen e kufirit.

Duke mataforizuar me simbolin ilir të rojtarit të shtëpisë, gjarprit, që në këtë rast nënkupton politikën aktuale, në librin e tij, Lauka arrin në përfundimin se klasa politike po kontribuon në probleme që po përballet Kosovës.

Gjatë promovimit folën edhe studiues dhe ish-diplomat sipas të cilëve libri i Laukës analizon dhe jep sugjerime për klasën politike në Kosovë, rreth dialogun dhe bisedimeve që po zhvillohen me Serbinë.

Gjatë promovimit nuk mungoi edhe performimi i aktorit Çun Lajçi, i cili recitoi poezi që preku temën e çështjeve kufitare në kontekstin historik.