Çështja e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi ‘nuk është urgjente’

Çështja e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi nuk është urgjente për Qeverinë e Kosovës, ndonëse Komisioni Shtetërore për Shënjimin e Kufirit e ka përfunduar punën e tij dhe ka ofruar argumentet e nevojshme.

Kryetari i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, thotë për Radio Kosovën se faktet janë të qëndrueshme, por çështja tani varet nga disponimi i politikës.

Qeveria Haradinaj e kishte çështje urgjente ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, por nuk e ka urgjent korrigjimin e kufirit, mbi bazën e argumenteve që i ka ofruar Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit ka thënë se edhe pas miratimit të Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ku përfshihej edhe raporti përfundimtar i komisionit, kanë vazhduar me plotësimin e raportit me fakte të reja dhe tani i mbetet Qeverisë të formojë grupin punues që do të bisedojë me palën malazeze.

“Ne si komision kemi mbaruar punën dhe jemi në pritje të hapjes së mundësisë për t’u ulur dhe për të dialoguar me palën malazeze për çështjen e kufirit”, tha Bulliqi për Radio Kosovën.

Radio Kosova merr vesh se Qeveria nuk e ka formuar ende grupin punues, duke pasur parasysh edhe afatin prej dy vjetësh për ta përmbyllur këtë çështje. Në një përgjigje me shkrim, Zyra për Informim e Qeverisë ka thënë se po punohet në këtë drejtim, por nuk kanë dhënë detaje. Në fakt, edhe kryeministri Ramush Haradinaj e ka pranuar se kjo nuk është çështje urgjente.

“I jemi shumë falënderues Malit të Zi që marrëveshjen për kufirin dhe për gatishmërinë që marrëveshjen për kufirin ta trajtojmë në përputhje me atë që jemi marrë vesh, që është korrigjimi në dy drejtimet, Çakorr dhe Kullë. Kjo për këtë do të jetë koha kur ne e përcaktojmë. Nuk jemi në presion kohor për këtë për shkak se ne i kemi disa tema të tjera që i kemi shumë me rëndësi tani, siç është liberalizimi i vizave”, ka thënë Haradinaj.

Kurdo që shtrohet kjo çështje, Shpejtim Bulliqi thotë se Komisionit për Shënjimin e Kufirit ka ofruar argumente të mjaftueshme dhe se korrigjimi i kufirit tani i mbetet vullnetit politik.

“Sigurisht që qëndrojmë prapa atyre fakteve që i posedojmë, sepse edhe pala malazeze është e vetëdijshme për lëshimet që janë bërë në këtë proces dhe krejt kjo varet nga disponimi i politikës, se sa do të jetë e gatshme politika që këtë proces ta shtyjë më tutje”, tha Bulliqi.

Bulliqi shpreson që presidenti i Kosovës dhe ai i Malit të Zi ta shtyjnë përpara këtë çështje dhe të korrigjohen ato pika kufitare, ku, sipas tij, është punuar keq nga komisioni paraprak. Të martën presidenti Hashim Thaçi u takua në Podgoricë me homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviq, por nuk u bë e ditur nëse kanë folur edhe për çështjen e korrigjimit të kufirit, por vetëm për thellimin e raporteve bilaterale.