Çështja e Autobusëve Diskutohet Nesër në Kuvendin Komunal
Çështja e blerjes së 51 autobusëve për trafikun urban të Prishtinës do të diskutohet në mbledhjen e nesërme të Kuvendit Komunal.
Kjo u vendos në një takim mes Ministrit të Financave, Abdullah Hoti dhe kryetarit të Kuvendit Komunal, Halim Halimi.
Ministri i Financave theksoi kërkesat e Ministrisë që Komuna e Prishtinës të jetë garantuese e kthimit të kredisë në rast se këtë gjë nuk mund ta bëjë Trafiku Urban.
“Ne e njohim Komunën e Prishtinës si aksionar 100 për qind të Trafikut Urban. Pra ne po kërkojmë vendim të Kuvendit të Komunës më të cilin Kuvendi pajtohet, pra garanton, para Qeverisë se në rast se Trafiku Urban nuk arrin të kthejë kredinë ne mund të tërheqim mjete drejtpërdrejt nga buxheti i Komunës së Prishtinës”, tha Hoti.
Megjithëse nuk ishte i ftuar në takim, nënkryetari i Komunës, Dardan Sejdiu, në këtë konferencë akuzoi ministrin Hoti për shkelje të ligjit me kërkesën që është bërë për këtë garantim.
“Nesër në Kuvend kërkesën të cilën e ka sjellë sot z. Hoti po shpresoj që në kërkesë të paktën shkruan ndonjë ligj apo ndonjë nen, nëse jo atëherë duhet të pyesim si shoqëri çfarë ministri është ky që për shkak të presionit publik dhe medial të sjellë dokument joligjor në Kuvend Komunal për të mbuluar marren e vet”, deklaroi Sejdiu.
Ndërkaq, Halim Halimi, i cili tha se vendimi për futjen në rend të ditës të kësaj pike është marrë pa konsultim me Kryetarin Shpend Ahmeti, e mbështeti kërkesën e ministrit për çështjen e garancionit për kthimin e kredisë.
“Me ligj është e paraparë që kreditë afatgjata edhe njësive komunale apo ndërmarrjeve publike për të cilat duhet të garantojë komuna. Nuk mund të marrë hua njësia komunale nëse nuk vendos Kuvendi Komunal”, tha kryetari i Kuvendit Komunal, i cili është i të njëjtës parti sikurse edhe ministri Hoti.
Ndërsa, sot në një konferencë për media, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar reagim qytetar në lidhje me vonesat për blerjen e autobusëve.
“Mosdërgimi për aprovim i vendimit për marrjen e kredisë për blerjen e 51 autobusëve nga BERZH-i në Kuvendin e Kosovës do të sjellë protesta nga ana e qytetarëve”, tha sot kryetari Ahmeti.
Ai tha se deklaratat e ministrit Hoti, i cili ia hedhë fajin Komunës së Prishtinës për mosblerjen e këtyre autobusëve janë “qesharake”.
“Kjo deklaratë përveç se ishte qesharake, ka marrë përmasat e një skandali gati se ndërkombëtar për shkak se janë bërë fiks 10 muaj prej momentit që ne kemi nënshkruar një marrëveshje me BERZH-in dhe ministrin e Financave për blerjen e 51 autobusëve të ri të Komunës së Prishtinës”, tha ai.
http://kallxo.com/autobuset-e-politizuar-te-prishtines-serish-ndeshin-ahmetin-e-hotin/