Certifikohen 25 kompani për bujqësinë organike

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se gjatë një ceremonie, certifikuar edhe 25 kompani, të cilat operojnë në gjithë vendin, për grumbullimin e bimëve mjekësore, aromatike dhe pemët e imëta.

MBPZhR përmes një komunikate për media bënë të ditur se zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi, ka vlerësuar se ky proces i certifikimit të këtyre kompanive përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta për zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë organike.

Ai ka treguar se MBPZHR-ja, përmes pagesave direkte prej 500 euro për hektarë mbështet sipërfaqet e kultivuara me produkte organike.

“Objektivi strategjik i MBPZHR-së është garantimi i rritjes së sasisë dhe cilësisë së prodhimit organik. Kjo jo vetëm për faktin e gjenerimit të efiçiencës, por edhe garantimit të rritjes së cilësisë së jetesës për konsumatorët. Nga ana tjetër prodhimi organik konsiderohet si avantazh i rritjes së mundësisë së eksportit në rajon dhe në vendet e BE-së, duke mundësuar kështu rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve kosovare,  si dhe ndikimin  në reduktimin e importit dhe rritjen e eksportit”, ka thënë Krasniqi.

Sipas statistikave në vitin 2017 në gjithë territorin e Kosovës kanë qenë 170 hektarë të kultivuara me bimë mjekësore aromatike, si dhe mbi 373,000 hektarë zona të certifikuara për grumbullimin e bimëve mjekësore dhe aromatike dhe frutave të egra.

“Ndërkaq, nga sot llogaritet se janë mbi 40 kompani dhe qendra të certifikuara, si dhe mbi 3200 grumbullues  në vend janë duke siguruar të ardhurat nga mbledhja e bimëve mjekësore aromatike, si dhe fruta të egra dhe kërpudha. Llogaritet se eksporti i këtyre produkteve bëhet gjysmë i përpunuar, ku 95 për qind e gjithë prodhimit të këtij sektori shkon për eksport, në Gjermani, Austri, Zvicër, etj”, ka njoftuar MBPZhR-ja nga kjo ceremoni e mbajtur sot.