Certifikohen 100 ambientalistë për avokimin e çështjeve të ambientit

Me përkrahjen Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe organizimin e BIRN Kosova dhe organizatës ERA, sot në Prishtinë janë certifikuar 100 ambientalistë, të cilët kanë qenë pjesë e punëtorive të mbajtura në 7 komuna të Kosovës.

Libor Chlad, zëvendësdrejtor për bashkëpunim në Zyrën e BE, ka thënë se është i entuziazmuar që në Kosovë ka takuar njerëz të rinj që dëshirojnë ta mbrojnë ambientin.

“Kurrë nuk kam parë kaq shumë njerëz të rinj kaq të motivuar. Jam shumë i entuziazmuar që Kosova ka njerëz të rinj dhe të vjetër që janë të interesuar për ambientin. Secili prej neve e dijmë sa të palumtur jemi kur ja nisë dimri dhe ndotet ajri. Kosova po kalon në proces të Stabilizim-Asociimit dhe janë disa kushte që ende duhet të plotësohen. Po duam të nisim të përdorim shprehjen “të qëndrueshëm”, për të gjithë. Që me mujt Kosova me i kriju kushtet që me konkurru barabartë. Nuk është me rendësi a po flasim për ujë, ajër apo resurse të tjera”, ka thënë Chlad.

Ndërsa drejtoresha e organizatës ERA, Ellen Frank – Lajqi, ka thënë se njerëzit që kanë marrë pjesë në punëtori i kanë dhënë asaj shembull se në Kosova ka njerëz  që ngrihen në këmbë për të drejtat e tyre.

“Ju më keni jap mua një shembull që qytetarët e Kosovës janë të gatshëm që të ngrihem në këmbë për të drejtat e tyre. Ju na keni treguar se ambienti është për të gjithë. Ne kemi mësuar që uji është ndotur industrialisht në Mitrovicë. Gjatë takimit në çdo qytet ne e kemi dëgjuar njëri tjetrin. Ne jemi të gatshëm të punojmë bashkë, mjedisi është diçka që prek gjithçka. Në Kosovë ka potencial që të mbrohet mjedisi. Ju jeni ata që individualisht do të ngriteni në këmbë dhe do të mbroni vendim tuaj”, ka thënë Frank-Lajqi.

Në anën tjetër Jeta Xharra nga BIRN Kosova, si bashkorganizatore e punëtorive ka thënë se këto punëtori janë mbajtur me qëllim që qytetarët dhe individët në Kosovë të njihen me të drejtat e tyre për ambientin dhe të dinë se ku të drejtohen për t’i trajtuar ndotjen e ambientit në Kosovë.

Punëtoritë për avokimin e çështjeve ambientit u mbajtën në 7 komuna të Kosovës, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë, ku morën  pjesë shumë qytetarë dhe përfaqësues të Organizatave Joqeveritare  në Kosovë.