Çelet Sezoni i Gjuetisë Ndaj Evazorëve

Ndërtimtaria, tregtia, shërbimet profesionale, artistike dhe zbavitëse, patundshmëritë dhe qiradhënësit, bujqësia dhe mineralet, janë veprimtaritë kryesore në të cilat nuk deklarohet dhe paguhet detyrimet tatimore.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) do të përqendrohet më shumë në këto veprimtari problematike, u bë e ditur përmes faqen zyrtare të këtij institucioni.

“Disa nga veprimtaritë në vijim, nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK u bënë thirrje që të regjistrohen sa më parë dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, ATK njofton se duke qenë se aktivitetet e saj do të përqendrohen pikërisht te këto veprimtari, inkurajon subjektet që t’i përmbushin detyrimet sa më shpejt, “në të kundërtën, do të ndërmerren masat ndëshkuese konform legjislacionit tatimor,” paralajmëron ATK-ja.

Sipas ATK-së, të gjithë personat që merren me aktivitete afariste në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të regjistrohen dhe pajisen me numër fiskal, deklarojnë dhe paguajnë tatimet dhe të mbajnë tatimin në burim dhe kontributet pensionale për punëtorët.

Në bazë të ligjit për Administratën Tatimore të Kosovës, kjo e fundit ka statusin e një Autoriteti Ekzekutiv, i cili funksion me autonomi të plotë operacionale përbrenda Ministrisë së Financave.