Praga - Foto: REL/EPA-EFE

Çekët festojnë 100-vjetorin e koronës me monedhë gjigante të arit

Banka Kombëtare e Çekisë po feston 100-vjetorin e monedhës së saj – koronës – me lëshimin e një monedhe gjigante të arit.

Me peshë 130 kg dhe me një diametër prej 50 centimetrash, ajo është një nga monedhat më të mëdha të arit në botë dhe më e madhja në Europë, tha të enjten një zëdhënës i Bankës Qendrore të Çekisë.

Ajo ka vlerë 100 milionë korona çeke, apo më pak se 3.9 milionë euro.

Puna e skulptorit çek, Vladimir Oppl, mund të shihet deri më 28 prill në kuadër të një ekspozite për monedhën në Kështjellën e Pragës.

Republika Çeke, anëtare e Bashkimit Europian, nuk e ka pranuar ende monedhën euro. (REL)