Kancelarja Angela Merkel - Foto: REL / Reuters
CDU e Merkelit Thotë se Synon Koalicion të Madh me SPD-në
Liderët e partisë Unioni Kristian-Demokrat (CDU), të kancelares gjermane, Angela Merkel, thonë se janë pajtuar për t’u angazhuar për koalicionin e madh me Partinë Social-Demokeate (SPD) të krahut të majtë, në përpjekje për përfundimin e krizës politike në këtë vend.
Daniel Guenther, lider rajonal i CDU-së, u tha mbrëmë gazetarëve se “ne synojmë që të kemi një qeveri efektive”.
Këto komente u bënë pas një takimi katërorësh të liderëve të CDU-së në Berlin, derisa ligjvënësit po i shqyrtojnë mënyrat për të lëvizur përpara, pasi përpjekja për formimin e koalicionit me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, gjatë javës së kaluar ka dështuar.
Dështimi në këto bisedime e ka vënë në pikëpyetje mandatin e katërt të mundshëm të njëpasnjëshëm të zonjës Merkel për kancelare të Gjermanisë.
Lideri i SPD-së, Martin Schulz, më parë ka thënë se partia e tij nuk do të hyjë për të tretën herë në koalicion të madh me CDU-në, pasi partitë aleate të SPD-së, nuk arritën rezultate të kënaqshme në zgjedhjet e 24 shtatorit.
Sipas një hulumtimi më të ri të opinionit, 52% e gjermanëve e mbështesin formimin e koalicionit të madh. (REL)