Driton Çaushi. Foto: Facebook

Çaushi Kërkon Shkarkimin e Kryeshefit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari

Driton Çaushi nga Grupi i Deputetëve të Pavarur akuzoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për mos përmbushje të detyrave të saj.

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti Çaushi tha se është i papranueshëm pasiviteti i Kryeministrit Ramush Haradinaj karshi situatës me sigurinë e ushqimit në Kosovë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dështuar në çdo aspekt. Është shokuese që deri më sot nuk ka pasur reagim nga Kryeministri përballë kësaj situate. Ky agjencion është nën zyren e Kryeministrit. E papranueshme është edhe heshtja e Ministrit të shëndetësisë”, tha Çaushi.

Ai po ashtu vuri dyshime në bashkëpunimin e AUV-it me biznese në dëm të qytetarëve.

“ Hap i parë urgjent dhe i domosdoshëm është shkarkimi i kryeshefit të agjencisë dhe bordit menaxhues të këtij insitutcioni. Ky agjencion mund të jetë në shërbim të bizneseve , por asnjëherë në shëbim të sigurisë dhe qytetarëve të Kosovës. Ju ftoj që ta marrim me seriozitet këtë çështje”, tha Çaushi.