Foto: Kallxo.com

Shpend Ahmeti kundër idesë së Haradinajt, 'Autostrada e Dukagjinit' nuk është prioritet

Në kohën kur autostrada e projektuar e Dukagjinit është bërë ndër temat kryesore të fushatës së Ramush Haradinajt dhe AAK-së, partineri i ri në koalicion i AAK-së, PSD, thotë se nuk e ka në prioritet këtë projekt.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk është prioritet për partinë e tij autostrada e Dukagjinit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, i pari i Prishtinës tha se duhet të bëhen studimet të fizibilitetit ekonomik, që tregojnë se një investim i tillë do të kishte kthim ekonomik.

“Ne duhet të shohim studimet e fizibilitetit ekonomik për të marrë vendime të tilla, që e ngarkojnë buxhetin e Kosovës. Ky është qëndrimi i PSD-së, këtë qëndrim ja themi gjithkujt, iu kemi thënë edhe subjekteve tjera politike, kur kemi diskutu për bashkëpunimet parazgjedhore ose paszgjedhore”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë që është kundër infrastrukturës rrugore në Dukagjin.

Ahmeti tha se PSD-ja beson që ka prioritete të tjera më të rëndësishme.

“Duke e marrë parasysh që nuk kemi pas studim fizibiliteti, nuk e dijmë koston e saktë dhe ne besojmë që ka prioritete tjera më të rëndësishme”, tha ai.

Ndërsa për partnerin e koalicionit në zgjedhjet e parakohshme, Ahmeti deklaroi se është e drejtë e AAK-së që të vendosë për prioritetet e veta.

“Ne nuk duhet të largojmë Dukagjinin nga prioritetet, ndoshta është investu në pjesë tjera shumë më shumë dhe duhet ta balancojmë që të kemi investime më tutje, por se si është mënyra më e mirë duhet të studiohet, AAK-ja e ka qit si top prioritet dhe mendoj se është e drejtë e subjektit”, deklaroi kryetari i PSD-së.