Foto: Kallxo.com

Caktohet paneli i deputetëve për zgjedhjen e bordit të KOSTT

Anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal e kanë bërë sot përzgjedhjen e panelit për zgjedhjen e Bordit të KOSTT-it.

Në Komision u votuan që këta deputetë nga grupet parlamentare të jenë pjesë e panelit: Veton Berisha nga Nisma Socialdemokrate, Hikmete Bajrami nga LDK, Sala Berisha-Shala nga PDK, Liburn Aliu nga LVV, Duda Balje nga 6+ dhe Muharrem Nitaj nga AAK-ja.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala, para votimit të emrave tha se kushdo që është i interesuar mund të jetë pjesë e panelit edhe pse me rekomandim të britanikëve nuk duhet të jenë më shumë se shtatë persona.

Sipas saj, janë 29 kandidatë që kanë aplikuar te jenë pjesë e Bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT).

“Intervisitmi i vetëm një kandidati merr kohë 1 ore e gjysmë. 29 kandidatë i kemi dhe ndoshta na duhet një javë pune për t’u marrë me këtë çështje. Secili panelist duhet ta ndajë kohën sepse pjesëmarrja në secilën intervistë është e obliguar”, tha ajo.

Ndërkaq anëtarët Muharrem Nitaj dhe Veton Berisha u deklaruan se më korrekte është që për këtë panel të jetë nga një përfaqësues i të gjitha grupeve parlamentare.