Gjykimi i Zhivorad Millutinoviqit - Foto: KALLXO.com

Caktohet ekspertizë në rastin e të akuzuarit për përvetësim të 159 kg metal të çmueshëm

Gjykata e Mitrovicës ka vendosur që në rastin e  Zhivorad Millutinoviqit, i cili akuzohet për përvetësim në detyrë, të bëhet ekspertizë në Fakultetin Teknik të Mitrovicës.

Trupi gjykues me kryetarin Beqir Halili dhe anëtarët Besnik Feka dhe Florije Syla ka njoftuar se Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kërkuar që të caktohet një ekspert me qëllim që të vlerësojë sa ka qenë sasia e grimcave të argjendit, për të vërtetuar më pas gjendjen faktike, raporton KALLXO.com.

Gjykata Themelore në Mitrovicë më 24 prill 2017 të akuzuarin Zhivorad Millutinoviq e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Millutinoviq ishte dënuar me 3 vjet burgim dhe 1.000 euro gjobë.

Njëherësh, Gjykata e ka obliguar të akuzuarin Zhivorad Millutinoviq që palës së dëmtuar t’ia kompensojë dëmin në lartësi prej 40.000 euro.

Gjykatësi Halili ka njoftuar se para shqyrtimit gjyqësor ka kontaktuar me dekanin e Fakultetit Teknik dhe nga ai, sipas tij, ka marrë propozim që për ekspert të dëgjohet profesori i Fakultetit Teknik, Muharrem Zabeli.

Ndaj caktimit të ekspertit nuk kanë pasur vërejtje prokurori Njazi Rexha, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Zhivorad Millutinoviq, avokati Lubomir Pantoviq.

Pas kësaj u bë caktimi i kësaj ekspertize, ku për elaborimin dhe përpilimin e saj është caktuar profesori i gjeo-shkencës, Muharrem Zabeli.

Millutinoviq akuzohet nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës se nga dhjetori i vitit 2008 deri në maj të vitit 2009, në cilësinë e kryepunëtorit të trezorit në KXMK “Trepça” në Zveçan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar 159,298 kg metal të çmueshëm, argjend i pastër 99.9%, ku vlera e tregut arrin në 40.000 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari këtë vepër e kishte kryer duke e shfrytëzuar çelësin i cili i është besuar në bazë të detyrës, kohë pas kohe ka marrë argjend dhe pastaj atë sasi e kishte shitur dhe paratë e fituara i ka shfrytëzuar për nevojat e tij.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”, nga neni 340 të Kodit Penal të Kosovës.

Në seancë ka munguar përfaqësuesja e të dëmtuarës, ndërmarrjes “Trepça”, Liljana Lumoviq, për të cilën gjykatësi Halili ka deklaruar se me parashtresë ka njoftuar Gjykatën së gjendet në udhëtim zyrtar, dhe ka kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet për një datë tjetër.

Mirëpo, gjykatësi Halili ka thënë se në këtë parashtresë nuk është arsyetuar se për çfarë udhëtimi zyrtar po bëhet fjalë, andaj ai ka shtuar se shqyrtimi gjyqësor mund të mbahet edhe pa prezencën e të lartcekurës, raporton KALLXO.com.

Kurse i akuzuari Millutinoviq pas pajtimit që aktakuza të konsiderohet e lexuar nga ana e prokurorit Njazi Rexha, përsëri si në shqyrtimin e mëhershëm, ka deklaruar se është i pafajshëm.

Tutje për fjalën hyrëse prokurori Njazi Rexha dhe mbrojtësi i të akuzuarit Zhivorad Millutinoviq, avokati Lubomir Pantoviq, kanë deklaruar se mbesin në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në procesverbalin e shqyrtimit të parë gjyqësor më 14 dhjetor 2016.

Gjithashtu edhe për paraqitjen e provave, palët janë pajtuar që dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtimin gjyqësor të mëhershëm dhe provat materiale, vetëm të lexohen.

Seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar, derisa shqyrtimi tjetër do të caktohet pas pranimit të ekspertizës, raporton KALLXO.com.