Foto: MAShT

Bytyqi takon Këshillin Drejtues të UP-së, ofron gatishmëri për zgjidhjen e problemeve

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, gjatë një takimi me Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u zotua se do t’i ndihmojë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes që kanë me Komunën e Prishtinës lidhur me shfrytëzimin e hapësirave universitare.

Bytyqi po ashtu shprehu gatishmërinë që të ofrojë mbështetje në plotësimin e infrastrukturës, në tejkalimin e vështirësive që kanë në këtë drejtim, por theksoi nevojën që kërkesat të qartësohen, të adresohen problemet dhe të angazhohemi së bashku, të bëjmë zgjidhjet e duhura brenda mundësive.

Në këtë takim, veç tjerash, u bisedua konkretisht për fakultetet, të cilat kanë nevojë më të madhe për zgjerim të infrastrukturës universitare dhe për objektet ekzistuese të disa fakulteteve që kanë nevojë që sa më shpejt të intervenohet në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese.