Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Bytyqi: Studentët e Prizrenit po manevrohen nga menaxhmenti i vjetër

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi e ka quajtur të manevruar protestën e studentëve të Universitetit të Prizrenit lidhur me problematikën e zgjedhjes së rektorit atje.

Studentët e Universitetit të Prizrenit dolën në protestë ditë më parë me disa kërkesa që përfshijnë shkarkimin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti.

Këta studentë për javë me radhë kanë paraqitur ankesa për mbetjen pezull të pozitës së rektorit në këtë universitet  dhe akuzat për ndikime politike.

Në një intervistë për KALLXO.com, Ministri Bytyqi foli lidhur me këtë protestë dhe problematikën e zgjedhjeve në në UPZ.

“Unë konsideroj që studentët kanë qenë të manevruar, të implikuar nga ky menaxhment i vjetër dhe disa profesorë që pretendojnë me e marrë pozicionin e rektorit”, tha Bytyqi.

Historiku i Problemit me zgjedhjen e rektorit në universitetin ‘Ukshin Hoti’

Këshilli Drejtues i UPZ-së  më 22 maj të këtij viti në rundin e dytë të votimit zgjodhi profesorin Ismet Temaj rektor të këtij Universiteti.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij Universiteti kishte marrë vendim të shkruar më datën 30 maj për përzgjedhjen e Temajt si rektor, duke u thirrur në Statutin e Universitetit të Prizrenit dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues.

Sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha, e quajti këtë zgjedhje të jashtëligjshme, pasi sipas tij në sallë nuk ka pasur kuorum dhe kandidatët nuk kanë mundur të marrin 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e rektorit.

Lidhur me këtë zgjedhje kishte reaguar edhe rektori i kaluar, Ramë Vataj që ishte kandidat edhe në këto zgjedhje.

Ai kishte bërë padi në gjykatë ndaj vendimit për zgjedhjen e rektorit dhe me këtë nxorri një vendim gjykate që kërkon pezullimin e këtij vendimi.

Gjykata Themelore e Prizrenit kishte vendosur të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Ramë Vataj, mandati i të cilit përfundon më 27 tetor, paditi Universitetin e Prizrenit, përkatësisht Këshillin Drejtues, lidhur me zgjedhjet për rektor që u mbajtën në maj të këtij viti.

Masa e përkohshme është vendosur duke u bazuar në padinë e Vatajt.

Më pas, Këshilli Drejtues kishte bërë plane të mblidhej për të vendosur lidhur me këtë vendim të gjykatës dhe ta zgjedhnin një ushtrues detyre të rektorit deri në përfundim të procedurave gjyqësore.

Mbledhjet e tyre u ndalën shpesh nga protestat e studentëve që kërkonin me ngulm që ushtrues detyre të mos zgjidhej Ismet Temaj, meqë vendimi për zgjedhjen e tij si rektor ishte kërkuar të pezullohej nga gjykata.

Përfundimisht, më 21 dhjetor Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” vendosi për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së rektorit.

Ushtrues detyre është zgjedhur Ismet Temaj dhe ai do të jetë në këtë post deri në zgjedhjen e rektorit.

Në këtë mbledhje ata e kanë anuluar vendimin paraprak për zgjedhjen e Ismet Temajt si rektor.

Lidhur me tërë këtë problematikë,  kishte pasur akuza të ndërsjella për ndikime politike nga NISMA (të cilës i takon Ministri i Arsimit) dhe Partia Demokratike e Kosovës ( të cilës i takonte ish-rektori Ramë Vataj).

Ministri Bytyqi për KALLXO.com tha se rektori që ishte zgjedhur, Ismet Temaj, nuk ka kurfarë lidhje politike me partinë e tij.

“Rektori nuk ka qenë çështja që është zgjedhur me ndikime por ka qenë problematika që një pjesë e Këshillit Drejtues nën ndikimin e menaxhmentit të vjetër nuk ka pranuar që po vjen një ndryshim edhe po vjen një rektor tjetër. Rektori që është zgjedhur nuk ka asnjë lidhje politike, nuk vjen nga partia prej të cilës vi unë. Ka qenë një votim i vëzhguar… dhe është tentuar që nga menaxhmenti i vjetër të bëhet një bllokadë brenda këtij universiteti”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se vendimi për anulimin e zgjedhjes së rektorit është bërë për t’i evituar problemet e mëtutjeshme.

“Ka qenë një rezistencë e pakuptueshme e menaxhmentit të kaluar që të pranojë ndryshimet që ka nevojë Universiteti i Prizrenit dhe gjithë kjo luftë është bërë pikërisht nga menaxhmenti i kaluar apo edhe persona tjerë që të mos ndodhë ndryshimi. Tashmë Këshilli Drejtues e ka zgjedhur një ushtrues detyre. E ka anluar vendimin për zgjedhjen e rektorit”, tha Bytyqi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për problemet e zgjedhjes së rektorit në Universitetin e Prizrenit.

Zgjedhja problematike e Rektorit të Universitetit të Prizrenit