Bytyqi: Projekti 'ALLED 2' rrit mbështetjen në programet e studimeve për të rinj

Sot është mbajtur Konferenca e nisjes së fazës së dytë të projektit “Harmonizimi i arsimit dhe aftësimit me kërkesat e tregut të punës-ALLED 2”, e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili deklaroi se qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i varfërisë dhe rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës.

“Theksova se Kosova ka një përqindje të lartë të rinisë, e cila konsiderohet burim i potencialeve për punë dhe perspektivë për të ardhmen. Përmes projektit ALLED 2, arsimi i lartë do të ketë më shumë mbështetje në programet e studimeve, përmes të cilave do të ketë mundësi më të mira të zhvillimit të kapaciteteve të të rinjve në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Ministri i Arsimit ka deklaruar se përmes projektit ALLED 2, do të mbështetet veprimtaria në arritjen e rezultateve dhe mbështetjen e masave inovative, të parapara sipas planeve IPA 2017.

Ai ka treguar se ky projekt, pritet të zgjasë deri në vitin 2022 dhe se MAShT e konsideron shumë të rëndësishëm, sidomos në aspektin e uljes së varfërisë në vend.

“MAShT së bashku me partnerët, janë të përkushtuar që përmes përgatitjes së standardeve të profesioneve, zhvillimit të kurrikulave, fuqizimit të shkollave dhe ndërlidhjes së profesioneve të ofruara me tregun e punës, të përmirësojë ngritjen e cilësisë në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional”, thuhet më tej në njoftimin e ministrit.

Në këtë konferencë, morën pjesë edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ambasadori i Austrisë, Gernot Pfandler, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, si dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.