Foto: Kallxo.com

Bytyqi: Asnjë libër i ri shkollor s’mund të kalojë nëse nuk i plotëson standardet

Sot Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë gjatë një konference për media ka prezantuar të dhëna lidhur me mbarëvajtjen e procesit të krijimit të teksteve të reja shkollore në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se për shumicën e klasëve në shkollat fillore në Kosovë, këtë vit do të ketë tekste të reja shkollore.

Ai tha se Këshilli i Ekspertëve për Planprograme dhe Tekste Shkollore ka punuar fuqishëm për krijimin e dokumentacionit përcjellës për recensentët.

“Kemi pasur një varg dokumentesh që u janë dhënë recensentëve për rishikimin e teksteve të reja. Kemi bërë një thirrje publike për recensentë. Është përpiluar edhe një deklaratë e betimit për secilin recensentë që i mban përgjegjës nga fillimi.”, ka thënë ministri.

Tutje Bytyqi ka treguar se takimet mes 103 recensentëve që janë mbajtur në Shqipëri dhe në Kosovë nuk kanë pasur shpenzime të mëdha.

“Faza e parë për nivelin 01-6-10 në Shqipëri ku kanë qenë prezent 103 recensentë ka kushtuar 27 mijë e 480 euro. Faza e dytë për nivelin 2-7-11 34 mijë e 260 euro, një pjesë e recensentëve që nuk kanë qenë atje e kanë mbajtur në Kosovë ka kushtuar 12 mijë e 654 euro dhe ën total ky proces ka kushtuar 74 mijë e 394 euro.”, ka deklaruar ai.

Pjesë e procesit për tekste të reja shkollore sipas ministrit, nuk ka qenë abetarja dhe tekstet për gjuhë të huaja.

“I kemi fituesit e teksteve por akoma i kemi me kode. Të gjitha dorëshkrimet kanë qenë të koduara sepse ka qenë e ndaluar të lënë emërtime andaj tekstet u janë dorëzuar me kodime recensentëve. Ne do t’i shpallim fituesit edhe me emra të shtëpive botuese dhe të autorëve. Asnjë libër nuk mund të kalojë nëse nuk i ka plotësuar standardet.”, ka thënë Bytyqi.

Arsyeja e udhëtimit të recensentëve për në Shqipëri, sipas Bytyqit ka qenë arsyeshmëria e çmimit në hotele atje.

Ai tregoi që herën e parë kur janë dërguar recensentët u ka kushtuar 27 mijë euro për një javë apo dhjetë ditë, herën e dytë u ka kushtuar 34 mijë euro një javë, ndërsa në Kosovë u ka kushtuar 12 mijë euro për dy ditë.

Kryetar i KEPTSH-it, Ferim Gashi, ka treguar numrin e recensentëve për secilin prej nivele shkollore, numrin e dorëshkrimeve dhe numrin e shtëpive botuese.

“Për klasën 01-6-10 kanë qenë 143 recensentë, kemi pasur 153 dorëshkrime dhe kanë qenë konkurrentë nëntë shtëpi botuese. Te faza e dytë e konkursit për klasën 2-7-11 vlerësimi është bërë nga 103 recensentë me 123 dorëshkrime dhe konkurrentë kanë qenë tetë shtëpi botuese.”, ka thënë Gashi.