Ministri i Drejtësisës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Josip Grubesa. Foto: N1/Balkan Insight

Burgu shtetëror i Bosnjës do të hapet 13 vjet pas vënies së gur themelit

Ministri i Drejtësisë i Bosnjës, Josip Grubesa njoftoi se burgu shtetëror do të hapet muajin tjetër, 13 vjet pas vënies së gur themelit.

Grubesa u tha gazetarëve në Sarajevë të martën se burgu i parë i nivelit shtetëror i Bosnje dhe Hercegovinës do të hapet përfundimisht më 1 gusht, për të adresuar mungesën aktuale të kapaciteteve adekuate të burgjeve në vend.

“Ky është një tregues që Bosnja po punon për sundimin e ligjit, për të forcuar sundimin e ligjit. Burgu është pjesë e sistemit gjyqësor dhe në këtë mënyrë kemi treguar se ku duam të shkojmë, se rruga e Bosnjës është rruga e zhvillimit dhe progresit”, tha Grubesa.

Gur themeli i burgut shtetëror u vendos në vitin 2006 në Sarajevën Lindore, në Republika Srpska, në njësinë e mbizotëruar nga serbët.

Ndërtimi filloi në vitin 2014, por u ndërpre në vitin 2016 nga një përplasje ligjore kur një nënkontraktor i mundshëm paraqiti një ankesë kundër kompanisë së angazhuar për të ndërtuar burgun, gjë që shkaktoi një vonesë të konsiderueshme.

Ndërtesa, buxheti i përgjithshëm i së cilës ishte 40 milionë euro, u financua nga kreditë e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, grantet e BE-së dhe ato të jashtme të qeverisë, si dhe fondet e shtetit boshnjak.

Burgu i ri do të ketë mundësi të mbajë rreth 350 të burgosur.

Gjatë viteve të fundit, mediat kanë raportuar se qindra kriminelë janë duke pritur për vende në burgje për të mbajtur dënimet e tyre.

Aktualisht ekzistojnë 15 burgje në Bosnje me kapacitet për të mbajtur deri në 2 mijë njerëz.

Burgu i ri, i cili do të strehojë kriminelët e luftës dhe ata të dënuar për krim të organizuar, pritet të zvogëlojë rrezikun e arratisjes, si dhe të përmbushë standardet e Këshillit të Evropës për të burgosurit  – një nga kushtet e lidhura me huatë për projektin.