Bihaqi | Foto: BIRN

Burgosje në Bosnjë për Vrasjet e Vitit 1992

Një gjykatë në Bihaq ka dënuar dy serbë të Bosnjës Goran Soviljin dhe Petar Galiqin me dhjetë dhe shtatë vjet burg për vrasjen e një civili boshnjak Mehmed Harambasiq dhe shkatërrim të pronës së tij në Kljuc në vitin 1992.

Vendimi kundër dy ish-anëtarëve të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, VRS, u dha në fund të rigjykimit të tyre, të cilin Gjykata e Lartë e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës FBiH e urdhëroi pasi rrëzoi vendimin e mëparshëm që e dënonte secilin prej tyre me nga dhjetë vjet burg.

Sipas vendimit, më 31 maj 1992 Sovilj dhe Galiq shkuan në shtëpinë e Harambasiqit në Sanica në Komunën e Kljucit, pinë alkool në bujtinën e tij dhe pastaj e nxorën atë jashtë. Sovilj u shpall fajtor se qëlloi katër plumba drejt Harambasiqit. Vendimi thotë se Sovilj dhe Galiq më pas vodhën automjetin e personit të vrarë.

“Përsa i takon Petar Galiqit, gjykata ka pranuar të gjitha akuzat dhe veprimet e specifikuara në aktakuzë, përveç akuzës se ai vrau Mehmed Harambasiqin,” tha kryetarja e trupit gjykues Fikreta Hadziq.

Palët kanë të drejtë të apelojnë kundër vendimit në Gjykatën e Lartë të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.