Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Burg i Përjetshëm për të Akuzuarin për Vrasjen e Gazmend Çollakut

Gjykata për Krime të Rënda vendosi të hënën të dënojë me burgim të përjetshëm Denis Shtrazën, pasi e shpalli atë fajtor për akuzat e rrëmbimit, torturimit dhe vrasjes së Gazmend Çollakut.

Pesëshja e gjyqtarëve, e kryesuar nga Ardit Mustafaj shpalli në fund të procesit gjyqësor se Shtraza është një nga autorët e rrëmbimit me pasojë vdekjen e Çollakut, ngjarje kjo e ndodhur më 6 janar 2016 në Durrës.

Sipas pamjeve filmike të transmetuara në seancat e gjykimit, Çollaku u rrëmbye nga katër persona në parkingun e një lokali pranë Portit të Durrësit.

Trupi i tij i pajetë u gjet më 7 janar 2016 në anën e një rruge në zonën e Fushë-Krujës, me një plagë plumbi në kokë dhe gjymtyrë të lidhura me fasheta.

Për të njëjtën ngjarje u akuzua edhe ish-oficeri i Policisë së Tiranës, Ervin Dalipaj, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në prill 2017 pranë Sukthit, ndërkohë që ishte në kërkim nga drejtësia.

Relatori i trupit gjykues argumentoi gjatë leximit të vendimit se njollat e gjakut të konstatuara në makinën “Mercedes Benz”, me të cilin kanë udhëtuar Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza 3-4 orë pas ngjarjes, i përkasin viktimës Çollaku.

Në disa seanca gjyqësore të mëparshme, ekspertizat e ADN-së rezultuan të pavlefshme, pasi mostrat me elementë ADN-je ishin ngatërruar.

Avokati i Shtrazës, Neshat Fana nuk pranoi të komentojë vendimin e gjykatës, duke pohuar se do ta apelonte shumë shpejt atë. Përgjatë procesit gjyqësor, avokati Fana ka kërkuar pafajësi për klientin e tij.

I kontaktuar nga BIRN, prokurori i çështjes tha se gjykata kishte vendosur drejt në vendimin për ta dënuar Shtrazën me burgim të përjetshëm.

“E tillë ishte dispozita ligjore dhe nuk mund të kërkosh masë tjetër dënimi përveç masës më ekstreme që ka Kodi Penal. Kanë ekzistuar disa prova që e implikonin,” tha prokurori.

Prova kryesore në këtë proces gjyqësor ishin njollat e gjakut të gjetura në makinën e autorëve. Por dy ekspertët që analizuan njollat e gjakut të viktimës arritën në përfundimin se ato ishin ngatërruar.

“Për ne, ky rast ka qenë unikal dhe për të qenë të sigurt dhe me veten tonë, i kemi kryer disa herë analizat dhe dilnin të njëjta rezultate,” deklaroi para gjykatës ekspertja biologe, Deda. Ekspertja shpjegoi se mostrat e gjakut që shërbenin për të zbuluar ADN-në duhej të ishin ngatërruar, pasi gjaku i marrë nga trupi i viktimës në morg nuk përputhej me atë të nënës së viktimës.

Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi riekspertim të mostrave të gjakut, para se të arrinte në vendimin se Shtraza është fajtor për vrasjen e Çollakut.