Foto: KALLXO.com

Burg për Zyrtarët e AKP-së, Morën Ryshfet

Dy zyrtarët e AKP- së janë dënuar me burg për marrje ryshfeti në shumë prej 15 mijë euro.

Fevzi Hajdari e Taulant Tahirsylaj, janë shpallur fajtor vetëm për veprën penale të marrjes së ryshfetit në bashkëkryerje.

Fevzi Hajdari është dënuar me 2 vjet burgim, si dhe gjobë prej 25.000 euro. Ndërsa Tahirsylaj është dënuar me 1 vjet burg me kusht, nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda 2 viteve.

Gjykata, gjithashtu i ka shqiptuar Tahirsylajt një dënim me gjobë në shumë prej 8.000 euro.

Ata akuzoheshin edhe për veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, por kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka hequr dorë nga ndjekja për këtë vepër.

Hajdari e Tahirsylaj u gjetën fajtor se i kishin marrë të dëmtuarit, Ramush Misini, 15.000 mijë euro.

Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil për kërkesën pasurore- juridike.

Aktakuza ngarkonte Hajdarin dhe Tahirsylajn se si zyrtarë në AKP-së me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ta shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini. Të denuarit ishin zyrtar të AKP-së, mirëpo kishin premtuar se mund të kryenin punë në ATK.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t`i gjeni këtu.