Gjykimi për grabitje - Foto: KALLXO.com

Burg për të akuzuarit për grabitjen në Mitrovicë

Gjykata e Mitrovicës ka shpallur sot aktgjykimin në rastin e dy të pandehurve, Bislim Miftari e Faton Peci, të akuzuar për grabitje.

Sipas vendimit të Gjykatës, të lexuar nga gjyqtari Burim Ademi, i akuzuari Bislim Miftari është dënuar me një vit e katër muaj burg, kurse Faton Peci me një vit burgim.

Dy të pandehurit në seancën e djeshme e kanë pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria.

Ata po akuzohen për një grabitje që kishte ndodhur në vitin 2005.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ata kanë kryer grabitje nën kërcënimin e armës.

Fillimisht siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, Miftari e Peci në vendin e quajtur “Lama e Rizahit“, duke përdorur dhunë e kanosje me armë kanë grabitur  të dëmtuarin B.U.

Dy të akuzuarit, sipas aktakuzës, kishin vënë disa barrikada me gurë, ndërsa më pas i pandehuri Miftari, i maskuar dhe i armatosur me pushkë gjysmë-automatike, e kishte ndalur automjetin e të dëmtuarit B.U., ndërsa i akuzuari Faton Peci kishte bërë roje.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Miftari iu kishte afruar automjetit dhe me përdorimin e dhunës dhe kanosjes me armë të dëmtuarin e kishte detyruar të hapte derën e automjetit, e kishte urdhëruar të dilte nga automjeti, duke i thënë se “krejt çka ke me veti vendosi në tokë”.

Sipas akuzës, i dëmtuari ishte detyruar t’ia japë 600 euro dhe dy telefona mobil të markës “Nokia “ në vlerë prej 100 euro.

Dy të akuzuarit sipas dosjes së Prokurorisë pasi që e kishin grabitur të dëmtuarin, e kishin urdhëruar të vazhdonte rrugën në drejtim të fshatit Melenicë dhe të mos ndalej.