Burg me kusht për të akuzuarit për përleshjen te shkolla e fshatit

Gjykata e Gjilanit i ka shpallur fajtorë Elbasan dhe Visar Muratin nga Tërpeza e Vitisë, të cilët akuzoheshin për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Meqë dy të akuzuarit në fillim të shqyrtimit gjyqësor e pranuan fajësinë, trupi gjykues në përbërje të Naser Maliqit – kryetar dhe Zyhdi Haziri dhe Veli Kryeziu – anëtarë, i ka dënuar me burgim me kusht prej 180 ditësh (6 muaj).

Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse të pandehurit në fjalë brenda dy viteve të ardhshme nuk kryejnë vepër të re penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit, e lexuar nga prokurori Shaban Spahiu, të akuzuarit në fjalë, në bashkëkryerje, më 29 prill 2017, afër shkollës fillore në fshatin Tërpezë të Vitisë, ishin përleshur me Taulant Arifin nga ky fshat, për shkak të mosmarrëveshjeve.

Në këtë rast i pandehuri Visar me një shkop druri të gjatësisë rreth 50-60 cm dhe i pandehuri tjetër Elbasan me një gyp të plastikës të gjatë rreth 1 metër, e kishin goditur në pjesë të ndryshme të trupit Taulant Arifin, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe atë plagë prerëse në gishtin e madh të dorës së djathtë.

Në këtë rast, akuzohet edhe Taulant Arifi, por ndaj tij u mor vendim që të veçohet procedura penale, për arsye se nuk e pranoi fajësinë  për veprën penale – vrasje në tentativë.

Trupi gjykues mori vendim që seanca për të akuzuarin Taulant Arifi të mbahet më 3 dhjetor 2018.

Ndërsa, për dëshmitarët e ftuar, e që munguan në shqyrtimin e sotëm, R. Shabani dhe L. Shaqiri, të lëshohet përsëri urdhëresë për sjellje me dhunë.

Gjatë seancës së sotme u aprovua edhe propozimi i prokurorit të shtetit që në gjykimin për vrasje në tentativë ndaj të akuzuarit Taulant Arifi të ftohen për të dëshmuar në cilësinë e të dëmtuarit, dëshmitarët Elbasan dhe Visar Murati.