Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Burg me Kusht për Djalin që ia Drejtoi Pushkën Babait

Harun Maliqi u shpall fajtor për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Maliqi i kishte drejtuar babait të tij pushkën më 22 qershor të vitit 2010, duke kërkuar sqarim nga ai se pse nuk po e lejon që të ndërtojë shtëpinë në oborrin e përbashkët që kishin.

Si rrethanë lehtësuese për dënimin ndaj të akuzuarit u mor pranimi i fajësisë, pendimi i thellë dhe qëndrimi korrekt në gjykatore.

Po ashtu, Maliqi premtoi se në të ardhmen nuk do të bjerë në kundërshtim me ligjin.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka shkuar në fshatin Gllogovc, në shtëpinë e babait të tij, Brahim Maliqit, ku fillimisht ka trokitur në derën e dhomës ku flinte i dëmtuari.

Pasi nuk ia ka hapur derën, i akuzuari e ka goditur derën me shqelma, derisa në duar duke e mbajtur pushkën ka hyrë brenda dhe duke e drejtuar në drejtim të të dëmtuarit prej tij ka kërkuar sqarim lidhur me moslejimin e ndërtimit të shtëpisë në oborrin e përbashkët.

I dëmtuari i rastit u udhëzua në kontest civil.