'Burdushi' tenton të vetëvritet në Qendrën e Paraburgimit

Mjeku popullor, Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”, ka tentuar që të vras veten në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Burime të KALLXO.com tregojnë se i njëjti rreth dy javë më parë, ka tentuar që me anë të një mbulese (çarçaf) të vetëvritet.

Tentim vetëvrasjen e “Burdush”-it e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Asdren Hoxha.

Sipas tij, tentim vetëvrasja erdhi pas padrejtësive që po i bëhen “Burdushit”.

“E konfirmoj një rast i tentimvrasjes ka ndodh në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, sepse më ka thënë drejtpërdrejt vetë klienti im, i cili e ka shprehur si revoltë ndaj padrejtësisë që po i bëhet, me caktim dhe vazhdim të paraburgimit pa asnjë arsye, procedurës për sekuestrim të pabazë të gjithë pasurisë, faktit që asnjë i dëmtuar nuk është lajmëruar vullnetarisht para arrestimit të tij por, pas arrestimit janë joshë dhe ftuar njerëz që për interesa personale të lajmërohen dhe të deklarojnë kundër tij, gjë që është e pazakontë. Dhe  ai e sheh si padrejtësi, pastaj edhe vonesa në procedurë për katër muaj në paraburgim pa aktakuzë të gjitha këto e kanë shtyrë siç ka thënë klienti në një akt të tillë”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Hoxha shtoi se kërkon nga institucionet që të zbusin masën në mënyrë që të parandalohet siç thekson ai e ‘keqja’.

“Konsideroj se padrejtësisht po mbahet në paraburgim dhe do të ishte e mjaftueshme një masë më e butë – si ajo e arrestit shtëpiak. Dhe i ftoj institucionet që të kenë parasysh të gjitha rrethanat për të parandaluar më të keqen dhe t’i ndërpritet paraburgimi menjëherë. Në lidhje më këtë rast janë njoftuar me letra edhe Prokuroria Themelore në Prizren gjithashtu edhe Gjykata Themelore në Prizren, mirëpo deri më tash është heshtur dhe nuk ka ndonjë lëvizje konkrete”, tha Hoxha.

KALLXO.com gjithashtu po pret edhe një sqarim nga ana e Shërbimit Korrektues në lidhje me rastin. Por, deri në momentet e publikimit të këtij shkrimi ende nuk ka pranuar një përgjigje nga ana e ShKK-së.

Foto nga seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Hysri Peqanit – Kallxo.com