Hysri Peqani - 'Burdushi'

Burdushi mbrohet në gjykatë, akuzon prokurorinë për gënjeshtra

Hysri Peqani, mjeku popullor i njohur edhe si “Burdushi”, ka dalur sot para gjykatës në seancën ku do të vendoset për masën e tij të sigurisë.

Dje ai ishte arrestuar nën dyshimet se ka ushtruar veprimtari të jashtëligjshme mjekësore dhe për shantazh.

Në gjykata ai u përball me prokurorin që po kërkon një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit.

Burdushi tha se prokuroria po gënjen dhe ka synim vetëm sekuestrimin e pasurisë së tij.

“Sa i përket prokurorisë që e ka përmendur kinse të dëmtuarën me iniciale F.S., unë as nuk e njoh as nuk kam pasur tboj me ta dhe kërkoj që të ballafaqohem me këtë person”Njerzit te unë vijnë e kallin një qiri edhe dalin sepse besojnë. Prokuroria po cek gënjeshtra sepse nuk ka nevojë të bastiset shtëpia dhe të mirren makinat”, tha Burdushi.

Ai u ankua se ka qenë i prangosur gjatë kohës kur prokuroria kryente bastisje.

“Nëse dyshohem për shantazh atehërë pse të më bastiset shtëpia dhe të më merren makinat, të cilat janë bërë pa prezencën time dhe kam qenë i prangosur prapra objekteve të mira të banimit diku rreth 3 ose 4 orë”, tha ai.

Burdushi komentoi edhe vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, që vitin e kaluar i ndaloi atij veprimtarinë për 3 vite.

“Nuk kam pas vendim nga gjykata e Apelit që ta ndaloj punën, nëse e kam një vendim të tillë atherë unë nuk do të punoj e lirisht vendosjani shiritat dhe do ti’a lë krejt pasunin shtetit. Unë e du drejtësinë dhe lirinë time sepse është e padrejtë që po bëhet kjo ndaj meje”, tha ai.

Prokurori i çështjes Petrit Kryeziu, edhe njëherë deklaroi se mbetet në tërësi pranë kërkesës për caktimin e paraburgimit. Ai shtoi se prokuroria ka ndërmarrë vetëm veprime ligjore.

“I pandehuri ka qenë i vetëdijshëm se ndaj tij është duke u zhvilluar një procedurë për shkak të dyshimit të veprave të ngjashme penale dhe përsëri në mënyrë të fshehtë ka vazhduar veprimtarinë e tij mjekësore të kundërligjshme dhe i njëjti i ka sfiduar organet e drejtësisë.Bastisja dhe veprimet tjera janë kryer në prani të mbrojtësve të tyre dhe në prani të dëshmitarëve, të cilat veprimet janë të ligjshme”- deklaroi ai.

Bëhet e ditur se vitin e kaluar, Hysri Peqani ishtë dënuar me 1 vjet burgim e 5 mijë euro gjobë, për veprën penale të mashtrimit, e gjithashtu gjykata e Prizrenit për tri vitet e ardhshme i’a kishte ndaluar atij ushtrimin e profesionit.