Hysri Peqani - 'Burdushi'

Burdushi detyrohet të paraqitet në Polici një herë në javë

Pasi ishte mbajtur 4 muaj në paraburgim, ndaj Hysri Peqanit, i njohur si Burdushi, Gjykata e Prizrenit më 15 mars të këtij viti e kishte ndryshuar masën e sigurisë, duke e zëvendësuar me paraqitje në stacionin policor.

Ndryshimi kishte ardhur pas kërkesës së Prokurorisë së Prizrenit.

Ndërkohë, Gjykata ka vendosur sërish lidhur me masën e sigurisë.

Kjo pasi që prokurori i rastit Fatos Ajvazi më 15 prill ka paraqitur kërkesë që paraqitja në stacionin policor të vazhdohet edhe për një muaj.

Të njëjtën ditë, gjyqtari i rastit, Luan Berisha, ka marrë aktvendim përmes të cilit Burdushi detyrohet të paraqitet në stacion policor një herë në javë.

Sipas vendimit të Gjykatës, nëse Burdushi nuk e respekton këtë masë ndaj tij do të caktohet paraburgimi.

Me 17 nëntor, kur të njëjti i ishte caktuar paraburgimi, Burdushi kishte kërkuar që t’i caktohej një masë tjetër më e lehtë se paraburgimi, duke propozuar që t’i caktohej masa për paraqitje në stacion policor.

Në atë seancë, Burdushi kishte kërkuar disa lehtësira nga Gjykata në rast se do t’i caktojnë masën e paraqitjes në stacion policor.

Ai kishte deklaruar se do të respektonte thirrjet e Gjykatës por në disa ditë specifike është i zënë.

”Për sa i përket masës së paraqitjes në stacion policor , vetëm ditëve të marte dhe të premte mos më ngucni se punoj me pale. Çfarëdo dite tjetër jam i gatshëm me u paraqit”, kishte deklaruar Burdushi.

https://kallxo.com/burdushi-ne-gjykate-te-marteve-dhe-te-premteve-mos-me-ngucni/

I njëjti një ditë pas lirimit nga paraburgimit ishte paraqitur me një video nga shtëpia duke thënë se beson në pafajësinë e tij.

“Besoj që me kalimin e kohës do ta kuptoni drejtësinë dhe të vërtetën… besoj që liria ime do të triumfojë në fund”, ishte deklaruar  Burdushi.

https://kallxo.com/video-burdushi-flet-nga-shtepia-beson-ne-pafajesi/

Hysri Peqani po dyshohet për kryerjen e 4 veprave penale: Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi, mashtrim dhe për armëmbajtje pa lejeve.

Ditëve të fundit Burdushi është bërë temë diskutimi ndërmjet Dardan Molliqajt dhe Glauk Konjufcës.

Burdushi ka reaguar pas debatit të bërë mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku është përmendur edhe emri i tij.

Gjatë seancës së 12 prillit, Molliqaj pretendonte se Konjufca ka qenë pjesë e ShIK-ut, dhe i tha atij se ka shkuar te Burdushi.

“Glauk nuk të pshton Kadria, nuk të pshtojnë as njerëz të tjerë të ShIK-ut, por të shpëton veç e vërteta. Mua Glauk më vjen marre prej teje se janë dhjetëra deputetë të Kuvendit që e dinë. Ka qytetarë që munden edhe mos me besu po kredibiliteti yt ka ra sepse ka njerëz që e dinë krejt saktësisht këtë që e thash. Tash ti qysh ki me kritiku Kadri Veselin e Elminë që e ki afër ose dikë tjetër sepse na krejt këtu e dimë që je kanë në ShIK. Tash mundesh me shku te Burdushi, e kalon edhe këtë krizë sikur krizat e tjera”, kishte thënë Molliqaj.

E për këtë ka reaguar Burdushi përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku I kishte thënë Molliqajt se edhe “ti ke një hajmali në shtëpi por s’e di”.

“Çudi si ka të drejtë ky Molliqaj, me folë emër timin, po çka po të intereson ty se kush vjen te unë..është etike për askënd nuk tregohet se kush vjen te unë ok, edhe mos harro se edhe ti Dardan Molliqaj i ke hajmalitë n’shtëpi, e ti se din”, ishte shkrimi I Burdushit.

Kallxo.com ka raportuar ekskluzivisht që nga tetori i vitit 2018 për zhvillimet në rastin ‘Burdushi’.

Gjithçka kishte filluar m[ 16 nëntor  të vitit 2018, kur Burdushit i është bastisur shtëpia, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të lartcekura.

https://kallxo.com/bastiset-shtepia-e-hysri-pecanit-burdushit-foto/

KALLXO.com kishte raportuar në tetor të vitit 2018 se Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë në vitin 2015 ndaj Burdushit, për mashtrimin e një qytetari.

I njëjti pak ditë pasi që është bastisur nga Policia e Kosovës, është dënuar për veprën penale të mashtrimit nga aktakuza e vitit 2015, pasi që gjykata e gjeti fajtor për veprat penale të mashtrimit dhe e dënoi me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Të njëjtit si dënim plotësues Gjykata ia kishte ndaluar edhe ushtrimin e profesionit dhe veprimtarisë në kohëzgjatje prej 3 vitesh.