Bunjaki: E Respektojmë Kroacinë, Por ne do të Bëjmë Punën Tonë

Përfaqësuesja e Kosovës ka vazhduar edhe sot me stërvitje në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, në përgatitjet para takimit që do të zhvillojë të shtunën në Maksimir të Zagrebit kundër Kroacisë.

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki tha me këtë rast se Kroacia është një kombëtare e fortë, por në futboll gjithmonë ekziston befasia.

“Dy ditë kemi stërvitur mjaft mirë dhe fusha ka qenë e mirë. Jemi ballafaquar me largësinë e terrenit, por edhe kjo ishte e përballueshme. Punuam shumë në mbrojtje. Kroacia është një kombëtare e fortë, por në futboll gjithmonë ekziston befasia. Nga ndeshja e parë kemi kujtime që disa duhet harruar, por kishim edhe aksione të mira dhe raste. Kemi parasysh taktikën por përbërja do të dihet vetëm para loje. E respektojmë rivalin, por ne do të bëjmë punën tonë”, tha Bunjaki.

Kosova do të udhëtojë nesër për Zagreb, për t’u ndeshur në takimin kthyes me kroatët, për Kampionatin Botëror të Futbollit Rusia 2018. /21Media

http://kallxo.com/bunjaki-flet-pas-humbjes/