Bulliqi: S’mund të Ketë dy të Vërteta për Demarkacionin

Kreu i Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit me Maliin e Zi Shpejtim Bulliqi, tha sot në Komisionin për Punë të jashtme se nuk mund të ketë dy të vërteta për demarkacionin.

“Dy të vërteta s’munden me qenë, këtu është vetëm një e vërtetë. Ka pasur deputetë në Kuvendin e Kosovës që kanë ofruar zgjidhje që ta kalojmë këtë problem, por s’kemi pasë mundësi me gjete”, tha Bulliqi.

Ai iu përgjigj kështu pyetjes së deputetit Zafir Berisha që kërkoi një kompromis mes varianteve të vijës kufitare të pretenduar nga komisioni aktual dhe asaj me të cilën u përcaktua kjo vijë në marrëveshjen e 26 gushtit 2015.

A ekziston mundësia o burra që mes dy varianteve të gjendet një mes?, pyeti Berisha, duke kërkuar që komisioni i tashëm dhe i kaluar të punojnë së bashku.

“Duhet me gjetë zgjidhje, duhet me bo përpjekje për zgjidhje që nuk e cenon integritetin shtetëror. Na duhet me u unifiku me një qëndrim, ne me një qëndrim, kryeministri me një qëndrim, kryetari, e jo zëvendëskryeministri me shku në Mal të Zi atje e me diskutu atje vetë”, tha Bulliqi.