Bulliqi: Inspektorati, Hendikepi më i Madh i MASHT-it
Komisioni për Arsim ka shqyrtuar sot raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, duke dhënë rekomandime rreth këtij Ligji tha se hendikepi më i madh i Ministrisë së Arsimit është Inspektorati i Arsimit.
“Ju keni Inspektorat dhe nuk keni. Inspektorati juaj nuk funksionon. Ju punën ma të madhe dhe angazhimin më të madh që duhet me bo është me funksionalizu Inspektoratin. Ju nuk keni mbikëqyrje në shkolla. Mbikëqyrja e vetme në shkolla është vetëm mbi kompetenca të drejtorit të shkollës”, theksoi deputeti Bulliqi duke iu drejtuar Alush Istogut, sekretar i Ministrisë së Arsimit (MASHT) dhe Azem Gurit, këshilltari i ministrit Arsim Bajrami.
Më tej, deputeti i Kuvendit të Kosovës propozoi që Ministria e Arsimit, së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të sigurojnë nga një pagë sa për ta mbajtur familjen për mësimdhënësit që kanë probleme serioze shëndetësore, në mënyrë që ata të tërhiqen në mënyrë vullnetare nga mësimdhënia.
Sipas tij, kjo kategori e mësimdhënësve e ngarkon buxhetin, ndërkohë që ata nuk mund ta japin maksimumin në punën e tyre.
Shpejtim Bulliqi vlerësoi se në nivel vendi është një numër i madh i mësimdhënësve të sëmurë që vazhdojnë punën vetëm që të mos u ndalet paga që është burimi i vetëm ndoshta i të ardhurave të tyre.
Lidhur me këtë temë u pajtua edhe deputetja e Grupit 6+ Myfera Shinik.
Në këtë mbledhje u diskutuan edhe çështje të tjera.
Sekretari i MASHT-it, Alush Istogu tha se sfidë për këtë institucion është moskoordinimi i ligjeve. Sipas tij, ende nuk dihet nëse drejtori i shkollës, mësimdhënësit dhe punëtorët teknikë janë shërbyes publikë apo shërbyes civilë.
Ai tha se është marrë me këtë çështje dhe se ka pasur shumë takime me administratën publike, me ekspertë ndërkombëtarë, por sipas tij as në Ligjin për Shërbimin Civil as në Ligjin për Arsimin Parauniversitar nuk përcaktohet se drejtori i shkollës a është shërbyes civil a është shërbyes publik.
Alush Istogu tregoi po ashtu se janë duke punuar në zvogëlimin e braktisjes së shkollave, ndërsa sipas tij eliminim të braktisjes nuk ka askund në botë.
“Kemi krijuar edhe grupet punuese në nivel të drejtorive komunale dhe në nivel të shkollave”, theksoi ai.