Ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës” - Foto: Rtv21

Bukuritë Natyrore të Kosovës Prezantohen në Zvicër

Në qendrën e arteve “Ibrahim Kodra” në Melide të Zvicrës është hapur ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës”, ekspozitë kjo që synon të forcojë dhe zgjerojë marrëdhëniet sociale dhe kulturore ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Kosovës.

Organizimi i kësaj ngjarje u bë si rezultat i bashkëpunimit me Komunën e Melides, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë dhe Muzeun Kombëtarë të Republikës së Kosovës, ndërsa ky projekt iu dedikua vitit 2017, i cili është shpallur nga Asambleja e 70-të e Kombeve të Bashkuara si Vit Ndërkombëtar i Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit për Zhvillim.

Sipas një komunikate për medie, ky aktivitet u hap nga drejtoresha e artit të Fondacionit “Ibrahim Kodra”, Maria Pacolli, e cila edhe prezantoi nismën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa me një video mesazh të pranishmëve iu adresua edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Turizmin Botëror, Taleb Rifai.

Në këtë ekspozitë ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Bernë, Nazane Breca, e cila ka theksuar se “kultura bën një kontribut të madh, që Kosova të njihet më shumë dhe që të zbulohen thesaret e saj”.

Ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës” në Qendrën e Arteve në Fondacionin “Ibrahim Kodra” ka prezantuar fotografitë e realizuara nga fotografët ndërkombëtarë dhe pjesëmarrësit në garën e fotografisë më të mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017, e cila ishte organizuar pak kohë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Autorët e fotografive të ekspozuara në këtë ekspozitë janë si më poshtë: Aleksandra Hiltmann, Arben Islami, Erza Rudi, Jeta Abazi Gashi, Maria Pacolli, Marieke Lebet-Booij, Shkelzen Rexha, Yllka Fetahaj, Agon Nimani, Arian Mavriqi, Armend Nimani, Bleron Caka, Dea Lajqi, Sehida Miftari.

Në ekspozitë janë shfaqur edhe punime tjera artistike, duke përfshirë artistin kosovar, Sylë Mujaj. Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 14 janar 2018./21Media