Bryan Newton dhe Matt Taylor të ftuar special të ‘Anibar 2019’

Dy regjisorët e serisë vizatimore “Rick and Morty”, Bryan Newton dhe Matt Taylor, do të jenë të ftuarit special të edicionit të sivjetëm të Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, që mbahet nga 15 deri më 21 korrik në Pejë.

Përmes një njoftimi për media, “Anibar” njofton se mysafirët special të edicionit të dhjetë, të “Anibar” janë Bryan Newton dhe Matt Taylor, dy regjisorët nga ekipi madhështore që ka krijuar një ndër seritë më të guximshme të animuara të kohërave tona “Rick dhe Morty”.

“Newton dhe Taylor, do të na bashkohen këtë vit në Anibar përmes diskutimeve të hapura me ju dhe duke ndarë eksperiencën e tyre e të qenit pjesë e ekipit që ka punuar në serinë që u shfaq për tre sezonë me radhë në programin e mbrëmjes të Adult Swim në kuadër të rrjetit të kanalit për animacion Cartoon Netëork”, thuhet në njoftimin e Anibarit.

“Anibar” këtë vit mbahet nga 15 deri më 21 korrik 2019, ndërsa me datat 19 dhe 20 korrik 2019 (e premte dhe e shtunë) Matt Taylor dhe Bryan Newton do të mbajnë diskutimet e tyre në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, në Pejë.