Brovina: Faktet për gjenocid i ka Serbia

Deputetja më e vjetër e Kuvendit të Kosovës Flora Brovina nga PDK-ja tha se institucionet e Kosovës për 20 vjet janë shurdhuar karshi rastit të personave të pagjetur.

“Ku janë këta njerëz që i kërkojmë që 20 vjet, ku është Ukshin Hoti, ku është Blerimi, Hasani, Iliri, Agroni, ku janë 1652 bijtë tanë. Çka është kjo shurdhi, një zë i mekur nga Kosova që e tronditë Europën për 20 vjet”, deklaroi Brovina.

Ajo tha se shteti i Serbisë ka shënime për vrasjet dhe personat e pagjetur në Kosovë.

“Ata, pra Serbia e di ku janë sepse ka pasur institucione të rregullta ushtarake, qofshin paramilitare por nën komandën e Ushtrisë së Serbisë dhe kanë mbajtur shënime e dinë saktë ku është bërë krimi, ku i kanë fshehur viktimat dhe ku ndodhen ato”, tha Brovina.

Ajo ka shprehur pakënaqësinë e saj karshi zbatimit të rezolutave që janë nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës për fatin e personave të pagjetur.

Ne çka bëmë vetë. Nuk jam e kënaqur çka bëmë vetë. As dokumentet e eks’humimit në Batajnicë nuk i kemi, këto i mban Ministria e Drejtësisë së Serbinë. Andaj, ne nëse duam të ngrisim padi ndaj Serbisë për gjenocid, ne duhet t’i kishim dokumentet”, tha Brovina.

Brovina tha se e keqja është se asnjë akuzë nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës nuk është ngritur për të bërë presion ndaj Serbisë për personave të pagjetur.