Brnabiq nuk tërhiqet nga deklarata “njerëz të malit”

Kryeministrja serbe nuk do të kërkojë falje.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka thënë se nuk tërhiqet nga deklaratat të bëra ditë më parë, ku i quajti shqiptarët e Kosovës si “njerëz të zbritur nga mali”.

Brnabiq madje ka thënë se nuk do të kërkojë falje për këto deklarata, sepse “ka thënë të vërtetën”.

Ajo ka thënë se një thënie e tillë nuk ishte për kombin shqiptar, por për të treguar se nuk ka respekt, për presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryeministrin, Ramush Haradinajn.

“Do të doja që kurrë të mos takohesha me Haradinajn. Ju e dini për çfarë krime të tmerrshme u dyshua. Por unë duhet të merrem edhe me djallin për hirë të Serbisë”, ka thënë Brnabiq.

Pas deklaratës raciste të kryeministres serbe, Ana Brnabiq kishte reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt i cili kishte ironizuar me të duke thënë se gjermanët janë adhurues të maleve.

Ngjashëm me ambasadorin gjerman nga malet kanë ironizuar edhe ish-presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës ka bërë me dije se asnjëherë Brnabiqit nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë për shkak të deklaratave raciste dhe ofenduese./21Media

https://kallxo.com/bernabiq-i-quan-qytetaret-e-kosoves-njerez-te-malit/